Hasani: Shqipëria në orët e fundit për çeljen e negociatave me BE-në, hap më tej i njohjes së seriozitetit të reformave
Në Tiranë u mbajt sot Samiti i V i Gruas Shqiptare të Diasporës.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, në fjalën e tij në këtë samit u shpreh se, Shqipëria ka mbërritur në orët e fundit për çeljen e negociatave me Komisionin Europian.
“Tre Samite të Diasporës, dhe katër Samite të Gruas shqiptare në Diasporë kanë mbledhur përfaqësues të institucioneve, politikës, biznesit dhe shoqërisë civile nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, si dhe nga një numër i madh vendesh të botës; kanë shërbyer dhe shërbejnë jo thjesht e vetëm si kuvende të mendjes, dijes dhe shpirtit të shqiptarëve, por edhe si katalizatorë të zhvillimit mbarëkombëtar, bashkërendimit me partnerët vendas e të huaj, krijimit të mekanizmave efikas për të thithur dijen dhe krijuar atë pikë kritike të nevojshme për të çliruar energji të padiskutueshme që presin të kanalizohen e shfrytëzohen” tha Hasani.
Falë këtij konvergimi, shtoi Hasani, “Shqipëria, shtëpia jonë e përbashkët, ka hedhur hapa konkretë përpara, të matshëm dhe realë, në rrugëtimin tonë si një vend me institucione të konsoliduara demokratike, progresi i të cilit njihet dhe pranohet edhe prej miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë”.
Kështu, shtoi ai, “kemi mbërritur në orët e fundit për çeljen e negociatave me Komisionin Europian për kapitujt e parë për anëtarësimin e vendit tonë në BE, një hap më tej i njohjes së seriozitetit të reformave dhe angazhimeve tona për këtë proces jetik të Shqipërisë dhe për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë e punojnë, dhe falë jush këto realitete po bëhen gjithnjë e më të prekshme”.
Hasani nënvizoi se, gratë shqiptare të diasporës gëzojnë një pozicion të shkëlqyer për praninë e tyre në rrjetin e profesionisteve dhe mjedisin e biznesit botëror, duke i bërë nder emrit shqiptar.
“Ne kemi shembuj të shkëlqyr në të gjitha fushat e biznesit, teknologjisë, edukimit, artit, kulturës, politikës, etj. Por është e rëndësishme që të kuptojmë se, ndër sipërmarrësit shqiptarë të diasporës, mijëra njësi biznesi janë hapur ose drejtohen nga gratë.
Po kështu, mes kandidatëve shqiptarë për zgjedhjet lokale dhe kombëtare kudo në Europë, më shumë se 50% prej tyre janë gra”, tha Hasani.
Ky, nënvizoi ministri, “është një sinjal i fortë i aftësive, kompetencave, lidershipit dhe fuqisë suaj për të ndërmarrë iniciativa për të mbështetur jo vetëm familjet, por edhe komunitetet ku jetojnë, si dhe vendin tuaj të origjinës”.
“Duke njohur potencialin e madh të grave, sipas Hasanit, një hapësirë e rëndësishme i është dhënë angazhimit në mënyrë sa më aktive të grave.
Ministri nënvizoi se, qeveria e Republikës së Shqipërisë është dhe mbetet maksimalisht e angazhuar për të mbrojtur dhe avancuar të drejtat e qytetarëve tanë në botë.
Kështu, shtoi ai, “ne kemi iniciuar dhe mbyllur me sukses një sërë marrëveshjesh bilaterale për Mbrojtjen Sociale, prej të cilave, janë nënshkruar 13 marrëveshje, dhe janë në proces negocimi 12 të tjera.
Në këtë mënyrë bashkëatdhetarët tanë në diasporë kanë mundësinë që kontributi i tyre në ekonominë dhe në sigurimet shoqërore në vendet pritëse, do t’u kthehen në pensionet e tyre, secilit e secilës sipas asaj që u takon”.
Gjithashtu, shtoi Hasani, “jemi angazhuar në konsultime të vazhdueshme me diasporën për të dëgjuar shqetësimet dhe propozimet e tyre, duke krijuar një platformë për dialog dhe bashkëpunim të ndërsjellë”.
“Përfaqësitë tona në botë kanë pasur dhe kanë një vëmendje të shtuar për promovimin e kulturës dhe vlerave shqiptare në Evropë dhe kudo tjetër dhe në një ndërveprim të zhdërvjellët me Diasporën, për të forcuar identitetin kombëtar dhe lidhjet me vendlindjen”, theksoi Hasani.
Ministri nënvizoi se, tërheqja e investimeve nga Diaspora është një element që ka potencial të vyer, por ende të paçliruar.
“Një lajm i mirë është që në zgjedhjet e pranverës së ardhshme, vota e anëtarëve të Diasporës do të garantohet nga vendi i tyre pritës, duke bërë të mundur një të drejtë kushtetuese, por dhe një kërkesë të vazhdueshme nga diaspora jonë.
Vota e diasporës është një moment historik dhe një “borxh” që u kthehet shqiptarëve që jetojnë jashtë”, tha Hasani.
Ai u shpreh se, “mekanizmat dhe kanalet përmes të cilave diaspora mund të kontribuojë në vend janë shumëfishuar. Këshilli Koordinues i Diasporës, me Eminën këtu të pranishme dhe kolegë të tjerë, është një mekanizëm lobist i fuqishëm pranë qeverive dhe institucioneve të vendeve pritëse, në mbështetje të zhvillimit dhe demokratizimit të Shqipërisë dhe interesave shqiptare në rajon dhe botë, duke krijuar një shembull të bashkëpunimit të strukturuar që ne kemi ndërtuar së bashku”.
Hasani përmendi se plot 5 vjet më parë si një nga angazhimet në Strategjinë Kombëtare të Diasporës ishte krijimi i Dhomës së Biznesit të Diasporës dhe nxitja e investimeve të diasporës në Shqipëri, gjë të cilën e konsideroi histori suksesi.
Hasani shprehu bindjen se, Shqipëria ndihet me fat për potencialin njerëzor brenda dhe jashtë vendit.
“Detyra jonë është të bëjmë të mundur sinergjinë mes këtyre gjymtyrëve, çka është domosdoshme për të përballuar sfidat e zhvillimit për një të ardhme të begatë e dinjitoze në gjirin e vendeve demokratike. Në gjirin e Bashkimit Europian”, theksoi ai.
