Zbulohet një magazinë e madhe me kanabis në Tiranë

Policia e Tiranës ka zbuluar një magazinë të madhe me lëndë narkotike të llojit kanabis sativa. Mësohet se magazina është zbuluar në rrugën “Hamdi Pepo” në zonën e quajtur “Qyteti i nxënësve” në kryeqytet.

Operacioni vijon prej mbrëmjes së kaluar, teksa pritet të zbulohen detaje të tjera në orët në vijim dhe nëse ka persona të arrestuar.

E gjithë policia e Tiranës, shërbimet e komisariatit 2 dhe 6 dhe Antidroga e Tiranës ndodhen në aksion, pasi dyshohet se bëhet fjalë për një sasi të madhe lënde narkotike. 

Njoftimi i policisë: 

Gjatë orëve të para të mëngjesit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë ndërhyrë në ambientet e një magazine të vjetër dykatëshe, në rrugën “Hamdi Pepa”, Selitë, ku nga informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, dyshohej se kultivoheshin bimë narkotike, me anë të llambave.

Nga kontrollet, në katin e dytë të këtij objekti, i cili nga verifikimet rezulton i privatizuar nga shtetasit A. C., K. K. dhe V. S., shërbimet e Policisë gjetën të kultivuara në vazo plastike, 105 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.

Për rastin janë shoqëruar në ambientet e Policisë, disa shtetas, ndërkaq një grup i posaçëm hetimor po punon në vendngjarje, për të zbardhur dhe dokumentuar ligjërisht, rrethanat. Në përfundim të veprimeve procedurale do të japim njoftim të detajuar për këtë rast.