Thellohet skandali "5D"/ Drejtori tjetër i besuar i Erion Veliajt, Elton Kacidhja 3 orë në SPAK. Ja për çfarë dyshohet

Elton Kacidhja, Drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve në Tiranë për 3 orë me radhë është marrë sot në pyetje nga prokuroria e posaçme.

Zyrtari i bashkisë së Tiranës mësohet të jetë paraqitur sot në SPAK, ku oficerë të BKH-së, e kanë pyetur rreth një seri komunikimesh konsultative për tenderat e ujësjellësit, që ai ka pasur me Taulant Tushën, Nestor Muhametllari, Mariglen Qaton dhe Redi Mollën.

Kacidhja, ka hyrë mëngjesin e sotëm në SPAK dhe pasi është pyetur në cilësinë e personit që ka dijen mbi rrethanat e ngjarjes, është lënë i lirë. Pyetja e tij është bërë në vazhdën e detyrave që Gjykata e Apelit, i kishte lënë për të kryer prokurorëve të posaçëm.

Elton Kacidhja, është një prej drejtorëve kryesorë të Bashkisë së Tiranës, por del në komunikimet e aplikacionit “Whats App” me biznesmenin Nestor Muhametllari, pronari në letra i kompanisë “5D Konstruksion”.

Ndërsa pronarët faktikë të kësaj kompanie sipas SPAK janë Redi Molla dhe Mariglen Qato. dy ish- drejtorët që konsiderohen si njerëzit më të besuar të Erjon Veliaj.

Sipas gazetarit të “Ora News”, Elton Qyno komunikimet mes tyre në rrjetin social “Whats App”, kanë zgjatur 3 vite, nga 2020 deri në 2023. “...Vazhdimisht ato lënë takime me njëri-tjetrin në zyrë apo edhe jashtë saj...” -thuhet në dosjen e SPAK.

Gjithçka lidhet me një procedurë tenderuese, që lidhet me 14 operatorë ekonomikë ku përshihet edhe bashkimi i operatorëve ekonomikë “VAS Konstruksion”-“Senka” të cilët rezulton se pas vlerësimit të ofertave, janë renditur në vendin e katërt.

“...komisioni ka paraqitur raportin përmbledhës për ecurinë e procedurës së prokurimit me nr. 15398/4 të datës 18 nëntor 2020, i cili është miratuar nga Elton Kacidhja, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor. Autoriteti kontraktor ka shpallur formularin e njoftimit të fituesit në datën 18 nëntor 2020...”- thuhet në dosje.

Gjatë kësaj kohe Muhametllari dhe Kacidhja kanë komunikime të vazhdueshme në aplikacionin “Whats App”.

“...ata komunikojnë për projekte, për prokurimin e rikostruksionit të shkarkuesit katastrofik të ujëmbledhësit, rezervuari “Allgjatë”, projekte për rezervuar “Gjuslikonjë”, informacione mbi problemin e digës “Gjysylkanë”, shkëmbejnë dokumente me mesazhe, para dhe pasi zhvillohet procedura e prokurimit publik...”-thuhet në një nga vendimet e Apelit të Posaçëm që lë mjaft detyra SPAK në lidhje me aferën 5D.

Sipas vendimit, të krijohet përshtypja se ka një marrëdhënie shumë të afërt bashkëpunimi ndërmjet tyre. Pra Apeli u kujton SPAK se duhet të hetojë lidhjen mes Muhametllarit dhe Kacidhjas për të hetuar nëse zyrtari i Bashkisë ka abuzuar me detyrën duke favorizuar kompaninë “5D” që zotërohet nga ish-kolegët e tij Redi Molla dhe Mariglen Qato, që tani ndodhen prapa hekurave.