Protesta e e opozitës, policia ndalon dy protestues të tjerë. 5 nën hetim
Policia ka ndaluar dy persona dhe proceduar pesë të tjerë në lidhje me protestën e opozitës mbrëmjen e së hënës, ku u lënduan disa efektivë policie dhe protestues.
U ndalua 49 vjeçari nga Kruja, i akuzuar për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Personi tjetër i ndaluar është një 47 vjeçar nga Tirana dhe akuzohet për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Shkatërrimi i pronës”, parashikuar nga nenet 237 dhe 150 të Kodit Penal.
Mes të proceduarve është edhe një i mitur. Ata akuzohen për veprat penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”.
Një ditë më parë, policia arrestoi Xhevahir Rrushi, 57 vjeç, dhe procedoi 3 të tjerë në lidhje me protestën. Në mesin e personave të shpallur në kërkim është edhe Hivzi Bushati, i cili më herët ka qenë komandant i FNSH në Shkodër.
Krahas protestuesve të dhunshëm, u proceduan në gjendje të lirë edhe tre organizatorë të protestës, Flamur Noka, Gazment Bardhi dhe Ervin Minarollin. Ata do të hetohen për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.
Njoftmi:
Tiranë
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestës së zhvilluar më datë 07.10.2024, ndaloi shtetasit:
- S. B., 49 vjeç, banues në Krujë, për veprat penale "Goditjet për shkak të detyrës", "Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse" dhe "Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit", parashikuar nga nenet 237, 282 dhe 323 të Kodit Penal;
- G. T., 47 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale "Goditjet për shkak të detyrës" dhe "Shkatërrimi i pronës", parashikuar nga nenet 237 dhe 150 të Kodit Penal.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit H. B., 68 vjeç, I. T., 49 vjeç, K. K., 43 vjeç, M. T., 24 vjeç, dhe një shtetas të mitur 17 vjeç, për veprat penale "Prishja e rendit dhe qetësisë publike" dhe "Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik", parashikuar nga nenet 274 dhe 236 të Kodit Penal.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.
