GJKKO rrëzon kërkesën e ish-ministrit, Mediu: Akuza politike, nëse duan të zbulojnë të vërtetën, të bënin aktin e ekspertimit!

Gjykata e Posaçme rrëzon kërkesën e ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu për kryerjen e një riekspertimi pjesor për kostot e dëmit ekonomiko-financiar të demontimit në fabrikën e Poliçanit.

Gjyqtarja Irena Gjoka argumentoi se edhe kjo do të bashkohet me provat e tjera dhe se gjykata do të dalë në një konkluzion. Sipas gjyqtares së çështjes, asnjë provë nuk ka fuqi apo vlerë paracaktuese të provuar.

Mbrojtja ligjore e Mediut paraqiti kundërshtimet në lidhje me përgjigjet e pesë ekspertëve në dy seancat e kaluara. Mbrojtja pretendoi në seancën e kaluar se akti i ekspertimit është me të meta në përmbajtjen e tij dhe pretendoi se procesi i demontimit dhe cmilitarizimit është bërë mbi llogaritje jo të vërteta, jo të sakta. Shifrat sipas avokatëve të Mediut, kanë përmbajtje të rremë.

Mediu: Akoma do vijonim demontimin sipas ekspertët në 2038. Por sipas marrëveshjes se MAS ishte vendosur ndërprerja në 2010. Gjykata tha që është ajo që çmon aktin e ekspertimit. Ndaj ne vijuam debatin pyetje për pyetje përgjigje për përgjigje. Mendoj se gjykata e prokuroria nëse duna të zbulojnë të vërtetën, mund ta bënin aktin e ekspertimit.

Mjafton të kuptojnë matematikën skandaloze që të kuptonin të vërtetën. Për një gjykim minimal profesional dhe logjik, kuptohet që gjithçka është bërë për të ngritur akuza politike që për fat të keq vijojnë edhe sot

Avokatët kërkuan në seancën e kësaj të mërkure që të merret si provë një ekspertizë private, e përgatitur nga ana e tyre dhe të bëhet pjesë e fashikullit një memo me kundërshtimet e tyre.

Seanca ka përfunduar rreth  orës 12:30 minuta teksa seanca e radhës u la më 17 tetor, ora 13:00. Në seancë është i pranishëm edhe Fatmir Mediu.