Klopp firmos kontratën e re, zbulohet destinacioni i gjermanit

Zbulohet sfida e radhës për trajnerin gjerman Jurgen Klopp, i cili ka marrë një periudhë pushimi pas përvojës shumëvjeçare te suksesshme në stolin e Liverpoolit.

Sipas gazetarit Florian Plettenberg, trajneri gjerman do të jetë drejtor i përgjithshëm i futbollit të rrjetit të skuadrave të Red Bullit.

Ish-trajneri i Liverpool-it tashmë ka nënshkruar një kontratë afatgjatë që hyn në fuqi në janar të vitit të ardhshëm.

Pra, pas disa muajsh 57-vjeçari do të nisë të këshillojë ekipet si: Leipzig, Salzburg, Nju Jork dhe Bragantino.

Këshillat e Kloppit do të jenë për trajnimin, filozofinë e lojës, zhvillimin dhe transferimin e talentëve/trajnerëve etj.

I njëjti burim shton se CEO i Red Bullit, Oliver Mintzlaff, ishte i prirur për të siguruar trajnerin 57-vjeçar, i cili ka një klauzolë në kontratën e tij që e lejon atë të largohet për të marrë drejtimin e kombëtares gjermane nëse Julian Nagelsmann largohet.

Kujtojmë që Jurgen Klopp u largua nga Liverpooli në fund të sezonit të kaluar, pas nëntë sezonesh në Anfield (fitoi Premier Legaue-n dhe Championsin).

Më herët kishte drejtuar Dortmundin (nga 2008/09 deri në 2014/15) dhe Mainzin (2001/02 deri në 2007/08).