Kombëtarja/ Dy titullarët stërvitje të diferencuar, Asllani rrezikon sfidën ndaj Çekisë

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka kryer pasditen e djeshme seancën e radhës stërvitore në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, në kuadër të ndeshjeve ndaj Çekisë dhe Gjeorgjisë për Ligën e Kombeve ( 11 dhe 14 tetor).

Me grupin janë bashkuar edhe Nedim Bajrami, Arbër Hoxha e Qazim Laçi, ndërsa Kristjan Asllani e Myrto Uzuni kanë probleme muskulore dhe u stërvitën të diferencuar.

Të dy lojtarët janë në monitorimin e stafit mjekësor të Kombëtares dhe pritet që sot të bashkohen me grupin.

Gjendja e Asllanit paraqitet më e rëndë, pasi dëmtimi muskulor mund ta lërë jashtë ndeshjes me Çekinë.

Përsa i përket pjesës tjetër të grupit, të gjithë lojtarët u stërvitën normalisht dhe morën ngarkesën e plotë.

Stërvitja e djeshme nisi me punën në palestër e më pas trajneri Sylvinho së bashku me ekipin provuan disa situata të ndryshme loje dhe ana taktike.

Seanca e radhës stërvitore e Kombëtares do të zhvillohet sot në “Shtëpinë e Futbollit”.