Apeli lë në burg Andrea Kalemin, rrëzohet kërkesa për lehtësimin e masës së sigurisë

Gjykata e Apelit rrëzon kërkesën e Andrea Kalemit alias Adriatik Kalemi për lehtësimin e masës së sigurisë në burg.

Apeli la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, për Kalemin i cili u arrestua në 28 korrik të këtij viti në Memaliaj.

Andrea Kalemi alias Adriatik Kalemi është kushëriri i Aleksandër Sadikajt (i njohur si Sanço)i vrarë dy vite më parë.

Polica arrestoi në korrik Kalemin, babai i të cilit u vra në një atentat në Memaliaj, vetëm pak javë më parë.

 Andrea Kalemit, iu gjet në banesë edhe një arsenal armësh, pasi siç duket po përgatitej për ndonjë hakmarrje të mundshme pas vrasjes së të atit.

Në banesën e Adriatik Kalemajt, policia gjeti 1 armë zjarri automatike, 1 armë gjahu, 1 gjerdan fishekësh, fishekë luftarak, 2 silenciatorë, 1 jelek antiplumb, 40 145 euro, 438 550 lekë të rinj dhe 3470 dollarë.

Sipas policisë 52-vjeçari u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

51-vjeçarit Kalemit iu bë atentat në Greqi në gusht 2023 teksa ndodhej me familjen me pushime.

Ai u qëllua 10 herë në limanin e Lakkas, në ishullin Paxos.

Policia greke raportoi atëherë se bëhej fjalë për një atentat për larje hesapesh dhe raportoi se atentatori ishte një shqiptar i ardhur nga Italia.

Më 5 gusht 2023 Kalemi kishte kaluar nga Kakavija bashkë me gruan dhe 3 fëmijët, ndërkohë që rezulton person me precedentë të theksuara penale.

NJOFTIM PER MEDIA

Referuar interesimit të medias, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

“Në kuadër të marrjes dhe zbatimit të masave për personat të cilët janë të shpallur në kërkim nga organet e drejtësisë, për kryerjen e veprave penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, Shërbimet e Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë marrë informacion në rrugë operative se, në banesat e personave nën hetim A (A) alias S. K, dhe J.K strehohet shtetasi me iniciale A.B, person ndaj të cilit Gjykata e Shkallës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka caktuar masën e sigurimit me karakter shtrëngues personal “arrest në burg”, pasi dyshohet për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe municionit”.

Mbi kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është zhvilluar gjykimi lidhur me vlerësimin si të ligjshëm të arrestit dhe caktimin e masës së sigurimit personal ndaj:

(I)    personit nën hetim me iniciale A (A) alias S. K,i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë penale”, parashikuar nga nenet 278/3 dhe 4, 280, si dhe 287/1 të Kodit Penal.

(II)   personit nën hetim me iniciale J.K, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1 i Kodit Penal.

I.      Gjykata e Shkallës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër,me vendimin nr. 349, datë 29.08.2024, ka vendosur:

-Vlerësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë datë 28.08.2024, ndaj personit nën hetim A (A) alias S. K, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë penale”, parashikuar nga nenet 278/3 dhe 4, 280, si dhe 287/1 të Kodit Penal.

- Caktimin ndaj personit nën hetim A (A) alias S. K, masën e sigurimit personal shtrëngues atë të “arrestit në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë, nga personi nën hetim me iniciale A (A) alias S. K, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, deklarimin e paligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit më të butë se “arresti në burg”.

II.    Gjykata e Shkallës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, me vendimin nr. 348, datë 29.08.2024, ka vendosur:

- Vlerësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë datë 28.08.2024, ndaj personit nën hetim J.K,i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1 i Kodit Penal.

- Caktimin ndaj personit nën hetim J.K masën e sigurimit personal shtrëngues atë të “arrestit në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë, nga personi nën hetim me iniciale J.K i cili kërkoi ndryshimin pjesërisht të vendimit, caktimin e një mase sigurimi më të butë se ajo e “arresti në burg”.

Në përfundim të gjykimit, më datë 04.10.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga Gjyqtare znj. Arta Duka, vendosi:

1.     Miratimin e vendimit nr. 349, datë 29.08.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër.

2.     Miratimin e vendimit nr. 348, datë 29.08.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër.