Pronari i anijes shikonte ndeshjen Shqipëri-Spanjë, kur Nelaj u nis ti vendoste tritolin “C4”. ”Doli tym i zi pashë 2 të huaj, kërkonin ndihmë...”
Vendosja e sasisë së tritolit në një nga anijet e kompanisë detare “Fenikas”, ishte zgjedhur të realizohej në mbrëmjen e 24 qershorit 2024, në kohën kur pronari i kësaj kompanie Andrea Qirjako, ishte duke parë ndeshjen e futbollit Shqipëri-Spanjë, që përfundoi me rezultatin 0-1.
Teksa vëmëndja e Qirjakos dhe shumë personave të tjerë që ecnin në shëtitoren e Sarandës ishte përqëndruar tek zhvillimi i ndeshjes, Armand Nelaj dhe Erdion Muho, kanë vënë në zbatim planin për hedhjen në erë me tritol C4 të njërës prej anijes së tij.
Disa ditë më parë ata kishin blerë në një dyqan në Sarandë një gomone të vogël, një kostum zhytje dhe mbrëmjen e 24 qershorit, Nelaj është nisur nga plazhi i hotelit të Shpëtim Muhos, duke arritur në kalatën e Portit të Sarandës.
Por teksa ndeshja zhvillohej në televizor dhe Andrea Qirjako ndodhej në ambjentet e “Old Bar”, duke shijuar spektalin e Kampionatit Europian, një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar në zonën e kalatës së portit të Sarandës.
Ky shpërthim ishte planifikuar të ndodhte në trupin e anijes së kompanisë “Fenikas”, në fakt ndodhi shumë pranë kokës së Armand Nelaj, kafka e të cilit pësoi çarje në dy pjesë.
Dy autorët Nelaj dhe Muho, kishin planifikuar çdo gjë atë natë për ti shkatëruar biznesin kompanisë “Fenikas”, por gjithçka shkoi keq në momentin e fundit, pasi tritoli i plasi në dorë Armand Nelaj.
“...më datë 24 qershor 2024, rreth orës 21.00, kam qënë me shokun tim të quajtur Florian Sulo duke parë sportin tek vendi i thirrur “Porti Sarandë”, në lokal "Old Bar".Kur mbaroi pjesa e parë dëgjova një shpërthim që vinte nga kalata e portit, ktheva kokën dhe shikoj që doli tym i zi...”-ka treguar në polici Andrea Qirjako.
Pas këtij shpërthimi ai është çuar nga lokali duke shkuar në kalatën e portit për të parë se çfarë kishte ndodhur.
“...pashë dy persona të huaj që po kërkonin ndihmë.
Menjëherë shkova drejt portit, hyra brënda dhe kam parë dy persona në det që po tërhiqnin një person tjetër të plagosur i vendosur gjysëm në gomone.
E pashë. por nuk e njoha personin e plagosur, pasi ishte i veshur me veshje polumbari pa pesha dhe pa bombula.
Në kokë kishte kapuçin e uniformës së polumbarit. Po në atë momente erdhi anbulanca dhe e mori duke e trasportuar për në spital...”-ka rëfyer në polici, Qirjako.
Ndërkohë një ditë më pas, në datën 25 qershor rreth orës 15:00, Qirjako ka msuar se personi i plagosur në afërsi të kalatës së Portit, ku nodheshin të ankoruara anijet e kompanisë së tij, ishte shtetasi Armandi Nelaj.
“...nisur nga ky fakt se Armandi, është shoku i shtetasit Erdion Muho, bëra lidhjen me faktet që di unë dhe dyshoj se lënda eksplozive me të cilën u plagos Armandi, do të vihej në një nga tragetet e mia, të cilët ishin ankoruar në portin detar Sarandë.
Arsyeja është konkurenca në aktivitetin tregtar që ne kemi dhe konkretisht për linjën detare Sarandë-Corfuz. Unë kam patur konflikte të vazhdueshme me Shpetim Muho dhe Erdian Muho (babë e bir). Në vitin 2018, më kanë qëlluar tek hyrja e pallatit me shkop bejzbolli tre persona të paidentifikuar dhe kjo ishte punë e Shpetim dhe Erdian Muho, për arsye konkurence.
Më vonë kemi patur grindje të vazhdueshme në portin e Sarandës dhe në portin e Corfuzit për punë pasagjerësh.Para dy muajsh, në portin e Sarandës është djegur një anije transporti pasagjerësh rreth orës 12.00, e cila ishte shtetasit Petro Papikinos.
Kjo anije megjithse u dogjë nga shkëndija elektrike ata më akuzuan mua sikur ja kisha djegur unë. Para rreth një jave unë kam blerë një anije të re në shtetin e Japonisë dhe e kam çuar për rimondë në Pire, Athinë të shtetit të Greqisë.
Pasi anija ka bërë riparimet e para janë vendosur njerëz nga shtetasi Petro Papikinos dhe shtetasi Eridion Muho, kundrejt një shume 30.000 euro për të me djegur anijen time në rimond e sipër në Pire. Kjo ngjarje nuk ka ndodhur pasi njerzit që do ta kryenin djegien, nuk e kanë kryer pasi kanë parë logon "Finikas Lines..."-ka treguar në polici Andrea Qirjako.
Në pamundësi për të shkatëruar anijen në Greqi, Armand Nelaj planifikoi ta shkatërojë atë me tritol në Sarandë. Por një pakujdesi e vogël, ka bërë që atij ti plasë tritoli në dorë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Tashmë për këtë çështje është arrestuar dhe mbahet në burg Erdion Muho, ndaj të cilit është ngritur akuza e “Shkatërimit të pronës me eksploziv” mbetur në tentative. Muho rezulton të jetë miku i ngushtë i viktimës Armand Nelaj.
