I çonin deri në Turqi e nuk i fusnin në hotel, dy pronarët e agjencisë prangosen për mashtrim me rezervime fiktive
Shtetasit K.K dhe R.H, dy pronarët e një agjencie turistike janë arrestuar nga policia e Tiranës, pasi gjatë hetimeve të kryera lidhur me disa denoncime të bëra në sektorin e krimit ekonomik, rezultoi se ata mashtronin qytetarët përmes skemës së akomodimit në hotelet Turke.
Janë mbi 5 raste, ku qytetarë të ndryshëm kanë depozituar kallëzim penal ndaj tyre, të cilët pasi u merrnin eurot, bënin rezervim fiktiv të prenotimet të hotelit.
Qytetarët pajiseshin me bileta avioni, por kur shkonin në hotelet Turke, ata rezultonin se nuk ishin akomoduar sipas prenotimit të bërë në Tiranë.
Nisur nga kjo sjellje, qytetarët janë kthyer në Tiranë, duke marrë takim me shtetasit K.K dhe R.H, të cilëve i kanë kërkuar të kthejnë lekët mbrapsht.
Por shumat financiare që variojnë deri në 15 mijë euro nuk janë kthyer pasi Kariqi dhe Hambari kanë pretenduar se gabimi ka qenë i hotelit që qytetarët kishin prenotuar dhe jo agjencisë turistike në Tiranë.
Për pasojë qytetarët e mashtruar i janë drejtuar policisë së Tiranës, e cila menjëherë nisi verifikimet.
