NATA GALA E MUSIAD ALBANIA/ Objektivi i shoqatës botërore bashkëpunimi i bizneseve nga vende të ndryshme

“MUSIAD Albania” ka hapur degën edhe në Tiranë. Zyrtarizimi u kremtua edhe në një mbrëmje gala.

Kompania e shtrirë në 99 degë në 82 vende të botës synon bashkpunimin e bizneseve anembanë botës.

Të pranishëm ishin Ministri turk i Tregtisë, Mahmut Gürcan, ambasadori i Turqisë, Tayyar Kağan Atay, përfaqësues të tjerë të institucioneve turke dhe shqiptare, përfaqësuesit e MÜSİAD-it, deputetë, përfaqësues të ambasadave dhe të tjerë.

Ambasadori i Turqisë shtoi mbështetjen në zhvillimin e ekonomisë dhe tregtisë në Shqipëri.

Tayyar Kağan Atay, Ambasadori i Turqisë në Tiranë: “I urojmë mirëseardhjen në Tiranë përfaqësuesve të Musiad që vijnë nga Turqia, vende të Ballkanit dhe më tej. I uroj suksese edhe z.Muhammet kryetarit të Musiadit në Shqipëri, jemi gjithmonë pranë jush si shtet dhe jemi të bashkuar.

Dhe shpresoj shumë që mes dy shteteve bashkë me sipërmarrësit shqiptarë do të forcojmë lidhjet si nje familje, sidomos ato ekonomike”.

Kryetari i Musiad Albania Muhammet İşler: “Musiadi do të ketë një impakt të fuqishëm në botën e biznesit. Ne kemi nisur programet tona për të arritur bashkëpunime, po organizojmë takime B2B (Business to Business) për të ftuar investitorë në Shqipëri sepse mendojmë se Shqipëria është ylli që po ndriçon në Ballkan”.

“Musaid” është shoqatë, e themeluar në Stamboll në vitin 1990, është një organizatë ndërkombëtare me mbi 14,200 anëtarë, 63,000 biznese dhe mbi 2 milion të punësuar në mbarë botën.

Me rastin e inaugurimit të Musiad në Shqipëri, janë organizuar Mbrëmja Gala, Takimet B2B ku morën pjesë mbi 70 sipërmarrës të huaj dhe rreth 300 biznese shqiptare.

Në këto takime u firmos një marrëveshje bashkëpunimi mes Musiad Albania dhe Musiad Nederland (Hollandë) si një hap për sjelljen e investitorëve në Shqipëri.