Të dhënat e INSTAT: Tregtia me pakicë shënoi rritje, efektin më të lartë e kanë dhënë artikujt jo ushqimore

Tregtia me pakicë vijon të shënojë rritje sipas INSTAT.

Madje shtesa në tre muajt e fundit e krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar arriti ne 5.9 për qind.

Të dhënat janë publikuar nga INSTAT ku me sa duket efektin më të lartë e kanë dhënë artikujt jo ushqimore qoftë në njësitë tregtare të specializuara ose jo, ku volume tregtar ka njohur rritje me 6.8 për qind kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Në raport janë përfshirë të dhënat në shitjen e hidrokarbureve ku volumi u rrit me 6.2 për qind, çka konfirmon dhe një ndryshim në sektorin e transporteve.

Edhe në sektorin e Ushqimeve, pijeve dhe duhanit shitjet janë më të larta.

INSTAT ka paraqitur të dhëna edhe sa i përket situatës vjetore ku tregtia me pakicë rezulton të ketë qenë në rritje krahasuar me vitin 2023.

Edhe në treguesit e besimit banka e shqipërisë shprehet për një optimizëm sa i përket të ardhurave në këtë sektor.

Tregtarët e marrë në analizë kanë raportuar se presin edhe më tej rritje të shitjeve, ndërsa pritet pak ndryshim në çmimin e produkteve.

Nga ana tjetër edhe konsumatorët kanë realizuar më shumë blerje duke i dhënë kështu një shtysë bizneseve qoftë në shitjet, apo edhe në importe eksporte.

Ndikim në këtë rast ka pasur edhe sektori i turizmit përmes blerjeve të vogla të pushuesve të huaja gjatë qëndrimeve të tyre në Shqipëri.