Perlat e muzikës turke në Durrës, koncerti në kuadër të Javës së Kulturës Turke në Shqipëri
Perlat e Muzikës turke u prezantuan në një koncert në teatrin e Durrësit “Aleksandër Moisiu, në kuadër të Javës së Kulturës Turke në Shqipëri.
Kompozimet më të mira të Ahmet Adnan Sajgin dhe Ulvi Kemal Erkin u interpretuan nga artistët e Teatrit të Operas dhe Baletit të Stambollit, duke sjellë para publikut durrsak karakterin universal të muzikës turke.
Ambasadori i Turqisë në Shqipëri Tayyar Kagan Atay, zbuloi arsyen pse përzgjodhën durrësin për aktivitetin.
''Jam shumë i lumtur që në ditën e dytë të Javës së Kulturës Turke, jam mes qytetarëve të Durrësit.
Artistë nga Teatri i Operës dhe Baletit të Stambollit kanë marrë pjesë në këtë aktivitet të veçantë.
Një nga arsyet kryesore që zgjodhëm Durrësin është historia e tij e lashtë dhe rrënjët e thella kulturore.
Siç keni parë në broshurat pranë jush, koncerti titullohet ‘Perlat e muzikës turke’, ku kemi kënaqësinë t’ju prezantojmë me veprat e dy prej kompozitorëve më të njohur turq''.
Një nga artistët nga Turqia u shpreh se ishte i lumtur për koncertet në Shqipëri.
''Për ne është një kënaqësi e veçantë të interpretojmë këtë muzikë në Shqipëri.
Shpresoj të rikthehem sërish në Shqipëri. Kemi shumë ngjashmëri me popujt e Ballkanit dhe ndihemi si në shtëpinë tonë këtu, ndaj është një kënaqësi e madhe të ndajmë muzikën tonë me ju''.
Java e Kulturës Turke organizohet në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare, nismë e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë, mbështetur edhe nga institucione të tjera kulturore.
