Javët Kulturore Ndërkombëtare, çelet ekspozita “Copëza nga kultura turke”
Java e Kulturës Turke u çel zyrtarisht sot në ambientet e Qendrës “Sotir Kolea”, pjesë e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë personalitete të shumta, duke përfshirë drejtorin e Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha, ambasadorin e Republikës së Turqisë në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, Zëvendësministrin e Tregtisë së Republikës së Turqisë, Mahmut Gürcan, si dhe përfaqësues të institucioneve shqiptare dhe turke.
Në kuadër të kësaj jave, Instituti “Yunus Emre” ka organizuar ekspozitën “Copëza nga kultura turke”, ku janë shfaqur 30 vepra të zgjedhura që përfaqësojnë trashëgiminë kulturore dhe historike të Turqisë. Ekspozita paraqet vlera të lashta kulturore, figura të shquara të historisë dhe pasuri arkitekturore e gjeografike të Turqisë.
Java e Kulturës Turke është pjesë e nismës “Javët Kulturore Ndërkombëtare”, një platformë që synon të prezantojë kultura të ndryshme botërore për publikun shqiptar. Ekspozita do të jetë e hapur për vizitorët deri më 15 shtator 2024.