Rusia nxjerr në gjyq tre avokatë të Alexei Navalny-it

Prokuroria ruse ka hapur procedim penal kundër tre avokatëve mbrojtës të kritikut të Kremlinit Alexei Navalny, i cili vdiq në paraburgim në shkurt.

Të tre u gjykuan në qytetin Petushki, rreth 120 kilometra në lindje të Moskës. Ata akuzohen se i përkasin një organizate ekstremiste, në veçanti Fondacionit Kundër Korrupsionit (FBK) të themeluar nga Navalny në 2011.

Pothuajse menjëherë pasi filloi seanca, kryetari i trupit gjykues deklaroi se gjyqi i Vadim Kobzev, Igor Sergunin dhe Alexei Liptser do të zhvillohej me dyer të mbyllura.

Vëzhguesit e gjyqit thanë se gjyqtari e justifikoi vendimin duke përmendur një paralajmërim të policisë për provokime të mundshme nga mbështetësit e Navalny.

Tre avokatët përballen me nga dy deri në gjashtë vjet burg sipas ligjit penal rus.

Drejtori i FBK-së, Ivan Zhdanov tha në atë kohë se të tre ishin arrestuar për t’i mbyllur gojën më tej, sikur Navalny, një nga kritikët më të ashpër të presidentit Vladimir Putin.