Irani thërret katër ambasadorë evropianë në përgjigje të sanksioneve të reja

Ministria e Jashtme e Iranit thirri katër ambasadorë evropianë në përgjigje të sanksioneve të reja lidhur me furnizimin e supozuar të Rusisë me raketa balistike për përdorim në Ukrainë.

Diplomatët nga Britania, Gjermania, Franca dhe Holanda u thirrën në ministri, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve IRNA. Teherani mohoi me forcë akuzat e bëra nga aleatët perëndimorë të Ukrainës, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Majid Nili Ahmadabadi, drejtori i Ministrisë së Jashtme për Evropën Perëndimore, tha se Perëndimi kishte miratuar një “politikë armiqësore” ndaj Iranit dhe se do të kishte një përgjigje të përshtatshme ndaj masave të fundit.

Anijet dhe kompanitë që dyshohet se janë përfshirë në furnizimin me armë iraniane në Rusi janë sanksionuar. Mes tyre ishte edhe ”Iran Air”, i cili fluturon në disa destinacione në Evropë.

Irani është gjithnjë e më i izoluar politikisht për shkak të programit të tij të diskutueshëm bërthamor, abuzimeve të të drejtave të njeriut dhe politikës në Lindjen e Mesme.