“GËRDECI”/ Mediu: GJKKO të përsërisë pjesërisht akt-ekspertimin e dëmit ekonomiko-financiar të çështjes
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i kërkoi Gjykatës së Posaçme të ripërsërisë pjesërisht akt-ekspertimin e dëmit ekonomiko-financiar të çështjes "Gërdeci".
Sipas avokatëve të Mediut, ekspertët nuk kanë marrë parasysh një shkresë të Kombinatit Mekanik të Poliçanit, të vitit 2007, ku përllogariten kostot e demontimit të municioneve, duke i konsideruar të dhënat e saj të falsifikuara.
Avokati Henrik Ligori i tha gjykatës se mbi dyshimtë për falsifikim janë kallëzuar penalisht tre zyrtarë të kombinatit, por më pas gjykata e Beratit, ajo e Apelit Vlorë dhe Gjykata e Lartë kanë pushuar akuzën ndaj tyre.
Në këto kushte, tha avokati Ligori, të dhënat e shkresës në fjalë kanë qenë të sakta.
Në vijim, avokati i kërkoi gjykatës të marrë në cilësinë e provës tre vendimet gjyqësore dhe të urdhërojë kryerjen e një akt-ekspertimi të ri të pjesshëm.

