Ngriti dronin në burgun e Burrelit, dorëzohet dhe lihet i lirë 36-vjeçari: E përdori djali im 4-vjeçar

Policia identifikon, kap dhe shoqëron në Komisariat, autorin e dyshuar të ngritjes së një mjeti inteligjent (dron), mbi ambientet e IEVP Burrel.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, menjëherë pas marrjes së njoftimit se mbi ambientet e IEVP Burrel, ishte konstatuar një mjet inteligjent dron, i cili u neutralizua nga punonjësit e sigurisë së burgut, kanë nisur menjëherë hetimet për dokumentimin e kësaj ngjarjeje.

Si rezultat i hetimeve të kryera në bazë të inteligjencës policore, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe shoqërimi në Komisariatin e Policisë Mat, i autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasi T. A., 36 vjeç, banues në Burrel.

Personi i dyshuar Taulant Ahmetsulaj është paraqitur vullnetarisht në komisariatin e Burrelit duke pohuar se ai posedon dronin e zi që u fut në ambientet e brendshme të burgut të Burrelit.

Taulanti ka pohuar se droni i zi i përket atij dhe përdoret nga fëmija 4 vjeçar.

I dyshuari në dëshminë e tij të dhënë në polici ka pretenduar se është vënë në dijeni nga media për rrëzimin e dronit në burg dhe kur ka parë fotot ka vënë re se droni i përkiste fëmijës së tij.

Ndaj vullnetarisht është paraqitur në polici për të kërkuar mjetin fluturues të djalit të tij dhe më pas është lënë i lirë.