Berisha: Nderim për kryengritjen e Postribës! Përshëndetje për qytetarët që përzunë Benet Becin

Nga ballkoni i shtëpisë së tij, kreu i PD-së, Sali Berisha tha se ka një mirënjohje të pakufishme oratorëve të mrekullueshëm për të vërtetat që mbrojnë në tribunën e fjalës së lirë dhe përzunë Benet Becin.

Berisha: Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme misionare dhe misionarë të vërtetë të kauzës së drejtë të shqiptarëve. Një mirënjohje të pakufishme oratorëve të mrekullueshëm për të vërtetat që mbrojnë në tribunën e fjalës së lirë. Të dashur miq, do u çojmë sonte një përshëndetje të përzemërt qytetarëve të Postribës.

Të shprehim nderimin tonë më të madh për banorët e asaj zone, të cilët me një guxim epik u ngritën 78 vjet më parë në kryengritjen e parë antikomuniste të Shqipërisë dhe të Europës. Trimëria, guximi, qëndresa e tyre do të nderohen për jetë të jetëve si akte sublime të njeriut kundër pushtuesve të brendshëm apo të jashtëm qofshin ata, për liri dhe dinjitet njerëzor dhe kombëtar.

Një përshëndetje të veçantë kam unë edhe për aktin e tyre sot që përzunë nga ceremonia e nderimit përfaqësuesin e Edi Ramës. A mund të pranohej në ceremoni i deleguari i Edi Ramës, në një kohë kur Edi Rama është biri i një xhelati që urdhëroi varjen jo në vitin 1946, por në vitin 1988 të poetit Havzi Nela dhe nuk ka kërkuar të falur asnjëherë për këtë akt të babait të tij biologjik.