LUFTA CIVILE NË SUDAN/ Të paktën 21 persona u vranë pas sulmeve në juglindje të vendit

Një sulm në një zonë publike në Sudanin Juglindor u ka marrë jetën 21 personave, ndërsa konflikti mes Ushtrisë dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë vijon! Sipas sindikatës së mjekëve sulmet erdhën nga Forcat paraushtarake, por këta të fundit nuk e kanë marrë përgjegjësinë për sulmin.

Lufta civile në Sudan, mes Ushtrisë dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë, vijon të marrë jetë! Të paktën 21 persona u vranë pas bombardimeve të një tregu të populluar, bëri me dije sindikata e mjekëve.

Dhjetëra të tjerë mbeten të plagosur nga sulmi dhe po trajtohen në spital

Sulmi ndodhi në një prej 18 rajone në Sennar, një zonë e e cila cilësohet si një pikë strategjike dhe e rëndësishme, për shkak të pozicionit të saj pranë Etiopisë dhe Sudanit të Jugut, ndërsa është e përshtatshme për zhvillimin e bujqësisë.

Duke e cilësuar një "masakër" civile, sindikata e mjekëve bëri përgjegjëse Forcat paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë, megjithatë nuk ka pasur reagim nga këta të fundit.

Që prej shpërthimit të luftës në Prillin e kaluar mijëra njerëz janë vrarë në Sudan, ndërsa mbi 10 milionë janë larguar nga shtëpitë e tyre, duke e kthyer në një prej krizave më të rënda humanitare në botë.

Pavarësisht ndërmjetësimit të Arabisë Saudite dhe SHBA-së, bisedimet për paqe nuk kanë dhënë rezultat.