Sezoni i ri me objektiva të vjetra/ Metaj: PS-ja s’ka plan elektoral, por është gati gjithmonë për betejë për të qenë në pushtet

Deputeti socialist Ilir Metaj skanon përgatitjet e forcës ku ai bën pjesë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

I ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” Metaj theksoi se fokusi i Partisë Socialiste vazhdon të mbetet ai i kryerjes sa më mirë i angazhimeve dhe reformave që përshpejtojnë rrugën e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Partia Socialiste ka treguar gjithmonë se është gati për çdo zgjedhje dhe fushatë. PS-ja nuk është një parti që funksionon me një strategji apo plan elektoral, por është një parti që e ka të qartë dhe ka treguar që misioni i saj është ai i integrimit në BE.

Dhe çdo betejë elektorale është thjesht një kapitull i ri në një histori suksesi që ka filluar që në 2013-ën dhe që është ai i afrimit të Shqipërisë drejt destinacionit të saj.

Siç e thashë jemi gjithmonë të gatshëm për të hyrë në një betejë, jo thjesht për fitimin e saj, por për të qenë në pushtet për të bërë punët si duhet”, theksoi ndër të tjera ligjvënësi socialist, Ilir Metaj.