KRYESIA FOLI, PO TANI? Primare dhe lista të mbyllura: Të gjithë do t’i nënshtrohen votës në PD

Partia Demokratike do të zgjedhë kandidatët për deputetë për 2025 përmes procesit të primareve. Sali Berisha, njoftoi vendimin për të organizuar primare të brendshme, duke i dhënë mundësi mijëra demokratëve të kandidojnë për një vend në listat zgjedhore.

Për të zgjedhur 140 kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 2025 mijëra demokratë do të hyjnë në zgjedhje të brendshme në procesin e Primareve.

Ishte Sali Berisha ai i cili lajmëroi të mërkurën Kryesinë dhe simpatizantët e PD vendimin e tij për këtë proces, i cili tanimë është edhe në statutin e partisë

Ndryshimet në ligjin zgjedhor bën që në zgjedhje partitë të paraqesin dy lista, një e treta e mbyllur ku fituesit I firmos kryetari, e të tjerët në garë të hapur ku mandatin e merr ai që ka më shumë vota.

Por si do të veprohet në primare për ta?

Në 2025 partitë do të kandidojnë me dy lista një të mbyllur dhe një të hapur, por pavarësisht se në cilën listë do të jenë demokratët do të kandidojnë të gjithë në primare.

Pavarësisht rezultati firma e fundit do të hidhet edhe pas marrëveshjeve me aleatët. Sali Berisha do të duhet tu bëjë vend edhe partive në koalicion, ku në të shkuarën kryetarët e tyre kanë qenë në listat e sigurta për deputetë.

Detajet e procesit të primareve pritet të specifikohen me një vendim të posaçëm në muajt në vazhdim, ndërsa ende nuk dihet nëse ato do të bëhen me votë pëlqyese për një person apo me votë kundër një personi sipas modelit të Lulzim Bashës të 2021.