"Për shekullin shqiptar"/ Propozimet e Departamentit "Brain Gain" për programin elektoral të PD-së: Të thyejmë frikën - Të ngjallim shpresën!
Rrugëtimi politik i Partisë Demokratike, në çastet e udhëheqjes së Shqipërisë, ashtu sikurse në çastet e opozitarizmit të saj, shëmbëllen si rrallë në historinë e vendit tonë, e si pak herë ndër simotra të saj në shtetet përreth, pashtershmërinë e forcës për t’iu imponuar rrethanave, kushteve, deri edhe vetë fatit, duke u bërë simbol i stoicizmit politik.
Partia Demokratike, e ndodhur disa herëpërballë kufijve të së pamundurës, qysh prej ditës së krijimit të saj, kur ëndrrat për një Shqipëri europiane ishin më të mëdha se klithmat e vuajtjeve prej pesë dekadash të shqiptarëve, mori përgjegjësinë për realizimin e tyre.
Në një terren që reflektonte agresivitetin që lind padurimi, ku gjithçka e munguar prej dekadashiu përplasej demokratëve si urgjencë që duhej plotësuar një çast e më parë, a thua se krijimi i themeleve të shtetit dhe jetës brenda tij është vepër arti, e jo proces i shkallëzuar që brumoset e latohet me durim, besim e dashuri për vendin, Partia Demokratike ia doli t’i përgjigjej detyrës së fatit.
Ajo firmosi themelet e shtetit ligjor, ekonomik, social dhe politik duke i qëndruar sërish stoike premtimit që lindi nga dëshira, po aq sa nga nevoja që përplasi ai çast historik i fillim viteve ¢90, për ta drejtuar vendin në udhën e zhvillimit, e cila për t’u përshkuar e shijuar, nuk ka se si të mos mbartë sakrifica, rrëzime, arritje e dështime, ngadalësime e përshpejtime, miq e armiq, duar që të shtyjnë a të mbështesin, deri sa në fund të saj të thuash: Jam krenar për rrugëtimin tim.
E thotë PD këtë sot sa herë i duhet të mbajë gjallën shpresën e patriotëve e po çdo herë që nuk dorëzohet së kthjelluari ata të brishtët ndaj mjegullës së verbimit të kujtesës, viktimat e para të regjimeve autokratike. Është krenare PD sot që çdo gur vendimtar në udhën e zhvillimit të Shqipërisë në 33 vitet e fundit në rrafshin politik, diplomatik, ekonomik dhe shoqëror mban firmën e saj, është pjesë e pamohueshme e trashëgimisë së saj.
Krenaria ushqen trimërinë, ndërsa kjo e fundit burgos në skutat më të largëta të subkonshit çdo frikë njerëzore. Demokratët sot janë krenarë.Koherenca e mendimit dhe arsyes do që të pranojë se kjo shpjegon pathyeshmërinë e tyre edhe sot, pas dymbëdhjetë viteve humnerë në autokraci elektorale, rikthim pas në kohë që pluhuros me pesimizëm trashëgiminë që PD i la vendit në vitin 2013.
Shqipëria, rrokullisur qorrazi në udhën e regresit të rrymave të majta anti-kombëtare, edhe njëherë këmbëngul ta dorëzojë fatin e saj tek Partia Demokratike dhe forca e saj për të thirrur pranë qëllimit dhe vizionit të saj shqiptarët, ata patriotët, ata të djathtë a të majtë, ata që kërkojnë rikthim, rikthim në atdheun e munguar, rikthim në rrugëtimin europian të lënë përgjysmë, rikthim në vlerat e moralit dhe familjes, rikthim në zhvillim ekonomik, rikthim në besim se Shqipëria është e shqiptarëve. Sot, më shumë se 33 vite më parë, PD duhet t‘u përgjigjet shqiptarëve dhe Shqipërisë.
Kësaj here Partia Demokratike duhet t’u përgjigjet me forcën që energjizon krenaria e që tejkalon meskinitetin e një kështjelle rëre që ka rrënjosur propaganda e regjimit post-komunist në një Shqipëri që ia mbylli derën errësirës me shpresën për europianizim.
PD duhet të injektojë forcë, të ringjallë besim, të rikthejë shpresë e t’i përgjigjet denjësisht edhe njëherë detyrës përballë së cilës e ka vendosur historia. E kur ferra e së keqes, kësaj radhe të zhduket pa lënë njollat e shëmtuara në dheun e kësaj toke, Partia Demokratike rinis gjithçka la në mes, kësaj radhe, mbjelljen dhe zhvillimin e Shekullit Shqiptar, të atij që rrezaton dinjitetin, zhvillimin dhe të ardhmen që meriton ky komb.
1.Një program i ndërlidhur ngushtë brenda një ekosistemi strategjik
Programi në përgatitjen e tij duhet menduar si i ndërlidhur ngushtësisht me të gjithë elementët që përbëjnë Partinë Demokratike. Duhet menduar si në qendër të një rrjete komplekse, i cili ushqen, ndërtondhe hap rrugë.
Mendimi kompleks i programit do të thotë që në hartim, ai duhet menduar:
në lidhje me kandidatët që do të jenë fytyra e tij;
në lidhje me thjeshtësinë e gjuhës që duhetkuptuar deringa subkoshienca e qytetarëve;
në lidhje me rolin që do të kenë anëtarët dhe militantët e PD;
i fortë për t’u shpërfaqur në një sistem autokratik ku mediat dhe rrjetet sociale kontrollohennga pushteti;
në përgjigjetë shqetësimeve thelbësore të shqiptarëve;
i qartë dhe i vërtetë në deklarimin e kostoveekonomike dhe plagëvesociale që lë pas kundërshtari;
shpresëdhënës në projektimin e së nesërmes pa autokratin;
i sinqertë në ndreqjen e gabimeve të së kaluarës dhe përmirësimit të opinionit të qytetarëve ndaj PD-së;
vizionar në projektimin e së nesërmes nën udhëheqjen e PD.
2.Rëndësia e orientimit strategjik drejt forcës, ndërtimit dhe energjisë (tema të detajuara në fund të dokumentit)
Pakënaqësia, zhgënjimi dhe depresioni shoqëror që ka pllakosur Shqipërinë sot, përballet prej më shumë se dhjetë vitesh me kështjellën e rërës së propagandës së regjimit autokratik në Shqipëri.
Manualet politike, realitetet politike,përvojat politike dhe shoqërore dëshmojnë se ka vetëm një dalje njëkalimshe që merr përpara dhe thërrmon kështjellën e gënjeshtërt të këtij perceptimi: një kundërshtar që reflekton forcë, atë pozitiven, të guximshmen, atë që i rri përballë pa frikë dhe me vërtetësi regjimit.
Propaganda në ndërtimin e kështjellës së rërës më së pari lufton historinë, duke na imponuar tërthorazi luftën tonë të parë: atë të rikthimit të historisë në plan të parë për të rikujtuar se meritojmë më mirë, se ditëm të bëjmë më mirë. Ne mund dhe duhet të jemi forca pozitive, së cilës shqiptarët i besojnë nëse imponojmë energji dhe shpresë. Tri shtylla do t’i shërbenin këtij qëllimi:
Të thyejmë frikën: “Forca e duhur në kohën e duhur”. Situata, në të cilën ndodhet vendi,veçanërisht me një prani në rritje të bandave kriminale, imponimi i fuqisë së të cilave ka zhbërë nocionin e shtetit duke e kthyer Shqipërinë në një territor parapolitik, si dhe përdorimi i të gjithë mjeteve teknologjike për të përgjuar dhe manipuluarqytetarët kudo ndodhen, ka krijuar një klimë të fortë negative. Partia Demokratike duhet të marrë përsipër detyrën dhe përgjegjësinë se është forca e duhur në kohën e duhur për të kthyer shtetin në rolin e vet.
Të ngjallim shpresën: “Shekulli shqiptar”. Konsolidimi i një vizioni afatgjatë të një Shqipërie ambicioze dhe rrezatuese, jo më e turpëruar nga skandalet, e helmuar dhe njollosur nga lajmet rreth mafias dhe drogës, e dorëzuar përballë varfërisë dhe mungesës së perspektivës. Një Shqipëri që ndërton urat e atdhetarizmit dhe kontributit për vendin duke mirëpriturekselencën shqiptare shpërndarë në të katërta anët e globit. Shekulli shqiptar do të duhet të jetë ai i Shqipërisë që ia beson zhvillimin ekonomik sipërmarrjes private,mbështetet mbi thesaret natyrore të saj përmes zhvillimit të turizmit cilësor dhe dinjitoz, e jo atij masiv. Së fundmi, Shqipëria e të rinjve të integruar dhe profesionalizuar me ritmet e kohës në teknologji dhe shërbime.
Të forcojmë identitetin: “Modeli shqiptar”. Ne imponojmë forcë, energjizim dhe vizion përmesorigjinalitetit të krijimit të modelit shqiptar, i cili hedh si relike skemat disa vjeçare të kundërshtarit,ku ligjet kopjohen, përkthehen apo i besohen inteligjencës artificiale pa pasur asnjë lidhje me vendin, kulturën dhe dinjitetin e së ardhmes. Filozofia e importit të ligjeve ka krijuar një ndarje të thellë midis letrës dhe jetës, midis ligjeve dhe përjetimeve. Partia Demokratike duhet të ndërtojë shtetin qëu ngjan shqiptarëve nëpërmjet një reforme të thellë të institucioneve për t’i sjellë ato më pranë qytetarëve dhe për t’i bërë të efektshme në ushtrimin e përgjegjësive të tyre.
3.Një program që merr parasysh realitetin e regjimit
Pas dymbëdhjetë viteve skanim të detajuar të çdo qytetari shqiptar në Republikën e Shqipërisë përmes zotërimit, manipulimit dhe përdorimit të të dhënave personale dhe publike, në shkelje me çdo normë morale, ligjore e njerëzore, autokracia është në avantazh informativ me PD përsa i përket elektoratit. Kjo e vërtetë e pashmangshme mund të përmbyset përmes ndryshimit rrënjësor të paradigmës së mendimit klasik që kemi pasur deri më tani dhe ekzekutimit të mënyrave të reja të veprimit politik: nisma të papritura, promotorë të agjendës politike dhe aktualitetit politik, provokues dhe jo reagues, intensitet dhe rezistencë që çorodit dhe lodh kundërshtarin.
Fundi i regjimeve troket kur hijet e dyshimit dhe paranojës dobësojnë zinxhirët e propagandës. Përpos gjithë avantazhit informativ dhe zotërimit të çdo mekanizmi institucionalnga pushteti, PD si forcë mobilizuese e reagimit qytetar, edhe me protesta minimaliste provokon mobilizim agresiv të kundërshtarit. Po nëse edhe të nesërmen, masiviteti i aksionit tonë vazhdon? Kemi përballë një kundërshtar, të cilin pushteti absolut nuk e bëri dot imun nga vulnerabiliteti dhe pasiguria. Pasiguria e tyre me gjithë mjetet në duar është ftesa për ortekun tonë.
4.Rreziku i teknicitetit dhe pesha e emocionit
Rreziku i madh që shoqëron përgjithësishtprogramet teknike apo burokratike lidhet me ndjenjëndhe shijen e largimit nga realiteti i jetës dhe përditshmërisë së qytetarëve. Realiteti i jetës së tyre është përtej normave juridike. Ata ndiejnë një shtet të padrejtë, të përdorur, të paaftë.
Sfida e parë është një sfidë perceptimi. Pakënaqësia kundër qeverisëështë një forcë motore e nevojshme, por në asnjë çast e mjaftueshme për një parti politike.
Vizioni i Partisë Demokratike duhet të mbështetet tek emocioni për të krijuar dinamika pozitive dhe rritur besueshmërinë.Një vend i pazot dhe i paaftë për të mbajtur në trevat e tij shqiptarët ka nevojë për udhëheqje që i shëron plagët e braktisjes dhe që dëshmon forcë, guxim për ta shëruar plagën me çdo kusht.
Programi nuk duhet të jetë thjeshtë një listë propozimesh. Ai duhet të burojë nga një qëllim plotësisht i identifikuar, një qëllim që buron nga vetë ne, nga njerëzit. Njerëzit nuk votojnë për një listë vendimesh por për një shpresë në të ardhmen, një drejtim për jetën e fëmijëve të tyre.
5.Takime në vendet simbol të skandaleve korruptive dhe vjedhjeve masive
Emocionet e këqija, ashtu si ato të mirat, nëse nuk rikujtohen, harrohen. PD ka detyrëntë përdorë deri në fund me të njëjtin intensitet që ka vepruar forcën e denoncimittë skandaleve korruptive dhe vjedhjeve masive, të cilat prekin direkt ekonominë e shqiptarëve.
Një vend që mbijeton vetëm falë informalitetit,ka për detyrë të kujtojë deri ditën e fundit vjedhjet që shpërdorojnëdjersën e shqiptarëve. Përpara ose njëkohësisht me paraqitjen e programit, takimet (pjesërisht) mund të organizohen në vende, godina, sheshe, etj. që mbajnë në kujtesë një skandal korruptiv.
Vendet janë të shumta, ashtu si vjedhjet e këtij regjimi masakrues ndaj pronës private dhe publike, aseteve individuale dhe shoqërore. Prania jonë në vendet simbol të korrupsionit krijon efektin psikologjik të ekzistencës faktike të vjedhjes, kombinuar me një retorikë të fortë të pasojës së asaj vjedhjeje për ekonominë e vendit dhe shqiptarët.
6.Një program shumëdimensional dhe koherent me kandidatët
Programi duhet të përgatitet në disa variante, ku secili variant të ketë tema dominuese dhe tema dytësore (për shembull kandidatët e vijës bregdetare duhet të kenë në dispozicion një variant të përshtatshëm me elemente lidhur me problematikat bregdetare si turizmi, por edhe dytësore si bujqësia). Ky element është thelbësor për të mundësuar njësimin e plotë të fjalëve me veprimet dhe me profilet e politikanëve,duke shmangur një disonancë konjitive në ndërgjegjen e qytetarëve shqiptarë. Nëse fjala nuk njësohet me profilin, ajo nuk bind në të vërtetë qytetarët.
Edhe pse rastet përjashtimore e bëjnë këtë një rregull jo absolut, si për shembull, kur personalitete të caktuara politike arrijnë t‘i thyejnë barrierat psikologjike të njerëzve falë aftësive të tyre, një program dhe një strategji politike nuk duhet të ndërtohet asnjëherë mbi përjashtime, por mbi rregulla dhe mbi rigorozitetin e zbatimit të tyre.
Për më tepër, një strategji programatike shumëdimensionale do të mundësojë një përvetësim dhe një kuptim më të mirë nga ana e kandidatëve përpara se të pranohet nga zgjedhësit. Ndërtimi dhe shpalosja etij duhet të udhëhiqen nga një filozofi jo vertikale dhe imponuese, por horizontale dhe empatike.
7.Rimëkëmbja e shtetit dhe sovranizmi
Marrja e pushtetit nga partitë e djathta në botëështë arritur në sajë të një kombinimi të zgjuar të dy temave kryesore: rimëkëmbja e shtetit (pra kthimi i autoritetit) dhe patriotizmi i kombinuar me sovranizëm (pra forca e indentitetit).
Politikat e majta dhe programet ekonomike sociale në një shtet të pakonsoliduar prodhojnë korrupsion dhe nuk arrijnë të luftojnë varfërinë. Shembull tipik janë vendet e Amerikës Latine ku në fushatat elektorale shitet populizëm i majtë, programe sociale dhe barazi kolektive.
8.Programi i vlerave dhe i mundësive
Politika është moral po aq sa pragmatizëm. Programi ynë duhet të ruajë një ekuilibër të vështirë, por të rëndësishëm mes vlerave që ne përfaqësojmë dhe nevojave urgjente që ka vendi. Është ekuilibër delikat, i cili kërkon një program që i përgjigjet degradimit ekonomik dhe institucional të vendit, pa u larguar nga fizionomia jonë politike.
Ne na votojnë shqiptarët që gjejnë tek PD parimet dhe vlerat e tyre mbi individin, lirinë, familjen, shoqërinë, etj. Si i tillë, programi ynë nuk duhet t‘u largohet vlerave të votuesve tanë.
Politikaështë ofertë e kushtëzuar nga rrethanat, çka e bën atë pragmatike. Kombinimi i moralit (vlerave) dhe pragmatizmit (mundësive) duhet të udhëheqin programin e PD-së.
9.Shtrirja në kohë: Programi është filmi ynë për projektimin e Shqipërisë
Marrjen e pushtetit në një autokraci e paraprijnë dy momente: 1) projektimi i një realiteti në vend pa autokratin; 2) projektimi i vendit i udhëhequr nga ne.
Ne synojmë marrjen e pushtetit pas 12 viteve sundim autokratik, ku realiteti e bën të pamundur të besosh se dëmet kolosale rimëkëmben në pak kohë. Duhet të projektohemi në ligjërimin publik, fushatë dhe program aq sa është e nevojshme për të rimëkëmbur vendin e të jemi të besueshëm. Shqipëria që duam të rikthejmë për të vazhduar me ndërtimin dhe zhvillimin e saj kërkon të projektohemi për më shumë se një mandat, duke treguar vendosmëri, forcë, ambicie, por mbi të gjitha sinqeritet.
10.Efekti i kontrastit në program
Hartimi i çdo plani apo propozimi në program duhet të ketë tri dimensione: ajo që ne patëm bërë në vitet e qeverisjes së vendit, çfarë bëri kahu i kundërt politik, çfarë ofrojmë ne për ta rimëkëmbur atë aspekt specifik. Ne kemi bërë një punë intensive në gjithë dimensionet sa i përket denoncimit. Ky aspekt nuk ka si të shkëputet nga programi, përkundrazi i jep atij forcën e kontrastit.
Programi i një skeme klasike, duhet t’ia lerë vendin programit të udhëhequr nga kontrasti. Vetëm përmes kontrastit, programi bëhet i pakundërshtueshëm, konkret, i qartë. Çdo alternativë, ofertë, propozim, reformë që shpërfaqim duhet të paraprihet nga dëmi (kosto) i (e) shkaktuar nga qeveria e majtë lidhur me atë aspekt. Një program 50/50 mes denoncim-dëmi/alternativë.
Vetëm përmes kontrastit mposhtim propagandën e njësimit me regjimin bazuar në grepin e gënjeshtrës se për shkak se e kemi udhëhequr vendin “jemi njësoj”. Jo vetëm përmes ligjërimit të përditshëm, por edhe përmes programit ne tregojmë se: Jemi të ndryshëm.
11.Rëndësia e gjuhës së përdorur
Gjuha e përdorur duhet të jetë objekt i një kujdesi të veçantë. Veçanërisht duhen shmangur fjalët e huazuara dhe fjalët që ndikojnë në mënyrë negative në subkoshiencën e njerëzve. Së dyti, duhen shmanguar termat që reflektojnë retorikë të përsëritur politike, duke lënë shijen e mungesës së sinqeritetit në fjalën e kandidatëve.
Fjalët apo konceptet e huazuara, pavarësisht vlefshmërisë dhe rëndësisë së tyre, kanë treguar se janë të papërshtatshme në realitetin shqiptar, sidomos në atë larg qyteteve. Gjetja e zgjidhjeve duhet të vijënga forca krijuese dhe përfaqësuese e Partisë Demokratike. Kjo vlen edhe për përzgjedhjen e retorikës gjuhësore. Nëse analizojmë temat e fitoreve të mëdha të Partisë Demokratike si “Shqipëria si gjithë Europa” apo “Me duar të pastra”, duket qartë që në thelb gjenden elemente që vijnë nga brenda PD drejt shqiptarëve, tema që lidhen me ëndrra të tyre, apo me ato me të cilat identifikohen dhe rritin ndjenjën e përkatësisë. Po të njëjtën vlerë emotive dhe mendore ka shmangia e fjalëve që ndikojnë negativisht në subkonshiencën e shqiptarëve dhe shkaktojnë efekt të kundërt politik. Për shembull, një ‘shtet i vogël‘, në ligjërimin politik, ka gjasa të perceptohet jo drejtësisht në kuptimin e efektivitetit, por si mungesë mbrojtjeje dhe alternativë qeverisjeje jo mjaftueshëm e fortë për t’iu vetë përballur autokracisë.
Gjuha e përdorur duhet t’i përgjigjet arrogancës së kundërshtarit. Brenda natyrshmërisë, fjalori ynë duhet të shpalosë forcë, vendosmëri, guxim, koherencë, zotësi, garanci, mbrojtje, udhëheqje, ambicie. Nuk duhet të kemi frikë nga terma që amplifikojnë fuqinë tonë. Një vend i vjedhur, i zbrazur, i shitur strategjikisht ka nevojë për rrënjosje të bindjes se ka kush i del zot.
12.Rasti për të krijuar një marrëdhënie të re me militantët, “një program nga shqiptarët për shqiptarët”
Marrëdhënia e Partisë Demokratike me anëtarësinë është një prej pikave më të nënvlerësuara sot, por pa asnjë dyshim një prej çelësave të suksesit të programit dhe të fushatës. Shembulli më i madh i forcës dhe i rëndësisë së saj është vërejtur gjatë procesit të Foltores dhe të Rithemelimit që pasoi.
Hartimi i programit është mundësia për të krijuar një marrëdhënie të re me anëtarësinë. Pas hartimit të tij, gjatë një harku kohor prej një muaji, në vend të kryesisë apo deputetëve mund të jetë anëtarësia ajo që shkon në terren pranë qytetarëve për të mbrojtur dhe paraqitur temat e mëdha të programit të Partisë Demokratike. Ky hark kohor do të shërbente që programi të provojësi vlerën dhe impaktin e tij pranë njerëzve, ashtu edhe aftësinë e anëtarëve të PD për ta përçuar atë. Informacionet që do të mblidhen mund të dërgohen tek një grupim i zgjedhur për t‘i analizuar dhe krijuar sinergjinë mes programit dhe strategjisë elektorale.
Ky do të ishte mekanizmi për imponimin e idesë së një programi nga shqiptarët për shqiptarët, ku oferta jonë ka dalë si përgjigje e drejtpërdrejtë, konkrete, e prekshme e problematikave të shqiptarëve. Sa më shumë qytetarë të njihen me programin në terren, aq më shumë kërkesa të tyre reflekton programi ynë, aq më shumë ndiejnë se i dëgjojmë dhe oferta jonë është për ta, ne jemi aq më pranë tyre.
Ky do jetë edhe rasti për të identifikuar individë të rinj me talent politik, vlerësimi i të cilëve në çaste vendimtare politike i nxjerr në qendër të strategjisë në muajt e ardhshëm, korrigjon lënien e tyre shpesh në harresë.
13.Një fushatë pranë njerëzve, “derë më derë, tavolinë më tavolinë, cep më cep”
Koha punon për drobitjen e regjimeveautoritariste, por po aq punon edhe për ashpërsimin e tyre. Edhe në vendin tonë, koha është duke i dhënë më shumë frymë gangrenës së censurës mediatike nga autokrati.
Në të kaluarën ky fakt ka krijuar një pasqyrë të thyer e cila na pamundësonte vlerësimin me realizëm të nivelit e të përhapjes së ideve të kandidatëve tanë. Për rrjedhojë, programi duhet menduar që të shpërndahet me mjete që nuk kushtëzohen nga mbulimi mediatik, i cili i zhveshur nga misioni i tij dhe nënshtruar autokracisë, vetëm ka censuruar, anatemuar dhe penguar aksionin opozitar.
Rëndësi i duhet dhënë edhe rolit të rrjeteve sociale. Atona zhysin në një flluskë perceptimi pozitiv për ndikimintonë politik, por në fakt mungesa e kuptimit dhe funksionimit të algoritmit bën që ne të shohim me pasqyrë të thyer realitetin e impaktit brenda popullsisë shqiptare.
Për këtë motiv, edhe një herë, prania në terren bëhet jetike dhe e pazëvendësueshme me asnjë mjet komunikimi standard apo bashkëkohor. Fushata që do të vijë nga kandidatët duhet të pasojë atë të militantëve gjatë fundit të vitit 2024 dhe duhet të bazohet me një prani të madhe në terren “tavolinë më tavolinë”, “derë më derë”, “cep më cep”, ku asnjë debat nuk shmanget.
Qasja jonë ndaj kritikës dhe argumentit qytetar duhet të jetë mirëpritëse, sqaruese e shterruese, kurrsesi konfliktuale. Një popullsi me rreth 1.5 milionë banorë, aq sa është më lehtësisht vulnerabël ndaj manipulimit, aq edhe lejontakimin meçdo shqiptar në fshatra e qytete. Në këtë drejtim, përveç programit, anëtarët e partisë dhe kandidatët për deputetë duhet të kenë në vëmendje edhe arritjet e PD-së në të kaluarën, duke bërë të mundur që krenaria për kontributin e PD-së për vendin të përballet memediokritetin e bilancit të qeverisë socialiste.
14.Shpalosja graduale e programit
Referuar gjithmonë qëllimit, programi ynë nuk duhet të jetë rutinë zgjedhore, por arma një dhe e vetme që kemi në dorë në një sistem të kapjes së skajshme të shtetit. Si i tillë, programi ynë është për shqiptarët. Qëllimi ynë nuk arrihet nëse përmbajtja e tij nuk përthithet nga çdo shqiptar, nëse oferta jonë nuk kuptohet e mirëpritet nga të djathtët, nuk përqafohet nga votuesi gri, nuk lëkund votuesin e majtë. Kjo kërkon kohë, përkushtim dhe këmbëngulje.
Për t‘ia arritur qëllimit, programi do të duhet të shpaloset gradualisht muaj përpara fushatës zgjedhore.Fushata duhet t’i shërbejë kryesisht konsolidimit të impaktit të tij përmes përsëritjes. Në shpalosjen graduale, programi ynëduhet të ilustrohet me sa më shumë shembuj mbi rrjedhimet pozitive për jetën e qytetarit.
Propozime për Programin elektoral të Partisë Demokratike 2025
Projeksioni ynë për përmbajtjen e programit elektoral të Partisë Demokratike synon arritjen e një objektivi të dyfishtë: së pari, të ngjallë një shkëmbim mendimesh, kundërshtimesh dhe diskutimesh konstruktive dhe efektive brenda Partisë Demokratike, duke u ofruar e sugjeruar më shumë se imponuar; së dyti, synon të bashkojë tërësinë e përvojave, kërkimeve të thjeshta dhe shkencore, ashtu sikurse vizionin e përvetësuar nga jeta profesionale në vendet perëndimore të anëtarëve të Departamentit Brain Gain, në tërësinë e një propozimi koherent.
Propozimet vazhdojnë në gjurmët e këndvështrimit dhe botëkuptimit tonë për zhvillimin strategjik të fushatës elektorale, ashtu sikurse për karakteristikat dhe veçoritë që duhet të ketë një program fitues shpalosur në kushtet e vështira dhe terrenin politik në Shqipëri, i cili është i ngjyrosur tashmë nga një fatalitet politik për demokracinë, pasojë e autokracisë elektorale të ngulur prej më shumë se një dekade. Në të njëjtën vijë logjike, propozimet i shërbejnë një qëllimi të konkretizuar në tri shtylla: (i) thyerja e frikës dhe rikthimi i shtetit në natyrshmërinë e tij përmes Forcës së duhur në kohën e duhur; (ii) ringjallja e shpresës përmes shpalosjes së rrugëve për zhvillimin e Shekullit shqiptar; (iii) forcimit të identitetit përmes reformave rrënjësore institucionale dhe ligjore në funksion të krijimit të Modelit shqiptar.
Ndërsa disa prej propozimeve tona janë analizuar përmes shkrimeve të publikuara në median e shkruar, më poshtë ato paraqiten të gjitha të grupuara sipas funksionit të tyre në një nga tri shtyllat.
-Të thyejmë frikën: “Forca e duhur në kohën e duhur”
Rikthimi i besimit te shteti dhe forca e tij ndryshuese nëpërmjet arrestimit të bandave në mbarë Shqipërinë dhe kthimit të rendit në vend. Përsëritja e suksesit që pati PD në arrestimin e bandave kriminale me ardhjen në krye të vendit në vitin 2005.
Hetim administrativ i punës së ministrive duke patur në fokus kontrollet administrative të procedurave PPP dhe të investitorëve strategjikë. Shfuqizim i kontratave korruptive dhe nxjerrja e përgjegjësve përpara drejtësisë.
Fitojnë ata që guxojnë. Mbrojtja e votës së lirë dhe përballja me krimin zgjedhor përmes identifikimit, demaskimit dhe bërjes publike me emër, mbiemër dhe imazh në media dhe terren të patronazhistëve si kriminelë të votës duke qenë pjesë e administratës publike. Ky projekt duhet të fillojë që në fushatë për të thyer mitin e krijuar rreth tyre.
Shprehja dhe zbatimi i vullnetit politik për një administratë në punë, efikase dhe produktive. Përmbushja e reformës së testimit të nëpunësit civil, promovimit të transparencës, llogaridhënies dhe meritokracisë.
Krijimi i “Policisë Pranë, një polici, që mbron, nuk sundon” duke synuar një ndryshim rrënjësor të pranisë fizike dhe marrëdhënies së policisë me qytetarët,bazuar mbi shembujt më të mirë të reformave të policisë në shtetet e BE që jo vetëm kanë ndryshuar qasjen e rolit të policisë brenda komunitetit, por kanë qenë efektive në luftën ndaj krimit në komunitete të banuara.
Ligj më i fortë përtë ndëshkuar krimet me pasoja të rënda për familjen dhe shoqërinë. Ashpërsim i dënimit për krimin me pasojë vdekjen brenda familjes dhe krimet ndaj të miturve, ku në të dy rastet dënimi me burgim të përjetshëm duhet të zgjerohet në masë.
Kthimi i Pasurive dhe Aseteve të Vjedhura përmes nisjes së bashkëpunimit me iniciativën StAR (Stolen Asset Recovery Initiative) me qëllim identifikimin, sekuestrimin dhe rekuperimin e pasurive të vjedhura, si dhe luftën ndaj pastrimit të parave.
Përjashtimi kategorik i kompanive offshore, kompanive guackë, kompanive të lidhura me nëpunës publikë, si dhe kompanive të ngjashme me to nga pjesëmarrja në prokurimet publike.
Modernizimi dhe fuqizimi i forcave të armatosura(ushtria) duke zgjeruar rolin e tyre në zonat periurbane më së shumti në luftën kundër narkotikëve, përgjigjen ndaj krizave madhore, rolin si forca zjarrfikëse dhe rëndësinë në emergjenca të tjera civile.
Krijimi i hartës së zonave me numrin më të madh të aksidenteve rrugore dhe ngritjen e një strategjie paralajmërimi dhe ndëshkimi më të theksuar.
Përsëritja e Census-it si nevojë paraprake për të pasur një panoramë të vërtetë të përbërjes demografike në vend në funksion të politikave publike të përshtatshme dhe në përputhje me kapacitetin njerëzor në vend.
-Të ngjallim shpresën: “Shekulli shqiptar”
1.Një Shqipëri e gjallëruar: Strategjia kombëtare për rritjen dhe kthimin e popullsisë, një strategji me në qendër qytetarin dhe familjen.
a.) Kthimi i shqiptarëve të mërguar përmes një kontrate të re sociale me Mërgatën.
Identifikimi dhe vendosja e planit kombëtar për funksionet publike të rrezikuara nga shpopullimi (plan bazuar mbi tri shtylla për nëpunës: Respekt - Perspektivë – Impakt)
Lehtësime financiare për emigrantët që kthehen për të nisur një sipërmarrje private përmes granteve të investimit, normave fare të ulëta të interesit për kredi për biznes dhe më së shumti përmes reduktimit deri zerim të përkohshëm të taksës së biznesit.
Emetimi i Diaspora Bonds, instrumente financiare për të tërhequr investime nga mërgata që kanë rezidencë jashtë vendit. Shqipëria duhet t'i përdorë këto obligacione për të financuar projekte të rëndësishme duke ndjekur shembujt e suksesshëm në botë. Bonds mund të rrisin angazhimin e Mërgatës në atdhe përmes kushteve të favorshme për investime dhe përfshirjes së tyre në vendimmarrje për ekonominë dhe të ardhmen e vendit.
b)Familja në qendër të Shekullit Shqiptar.
Leja e lindjes prej 1 viti për nënat do të paguhet me 100% të pagës në 6 muajt e parë dhe 80% të pagës në 6 muajt e dytë, duke e bazuar përllogaritjen vetëm në vitin e fundit të pagës.
Dhënia e lejes së lindjes me zgjedhje (pra jo e detyrueshme) prej 3 muajsh për babain, e cila do të paguhet me 100% të pagës.
Përjashtim i përjetshëm nga tatimi mbi të ardhurat personale për gratë që kanë rritur të paktën katër fëmijë.
Kreditë me interes shumë të ulët për gratë deri në moshën 45 vjeçare, të cilat kanë kontriubuar në tregun e punës për të paktën 5 vite, janë në pritje të një fëmije ose me një fëmijë. Kredia jepet për cfarëdolloj qëllimi, ndërkohë që borxhi reduktohet me lindjen e fëmijës së dytë dhe të tretë, e shlyhet krejtësisht me lindjen e fëmijës së katërt.
Mundësi për shtëpi përmes një prej tri politikave: a.) grant për blerjen e një shtëpie me një vlerë të kufizuar; b.) kredi hipotekore me interes të ulët; c.) zbritje e kredive hipotekore të marra në rast të lindjes së një fëmije të dytë, të tretë, etj. Të treja alternativat synojnë lehtësimin e blerjes së një shtëpie për çiftet e reja ose familjet me shumë fëmijë.
Granti për një makinë për çdo familje të madhe. Familjet me tre ose më shumë femijë mund të aplikojnë për një grant të pakthyeshëm deri në 300.000 ALL për blerjen e një makine të re.
Një Shqipëri rrezatuese: Ripërkufizimi i rolit të diplomacisë përkundrejt mërgatës dhe rolit të saj në ekonominë e vendit.
Identifikimi i qytetarëve shqiptarë në Mërgatë në mbarë globin ashtu sikurse i aktiviteteve të tyre të sipërmarrjes private.
Rikthim i dinjitetit diplomatik dhe funksionit ndërkombëtar të ambasadave shqiptare në botë si urë lidhëse mes Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Një Shqipëri prodhuese: Nxitja e zhvillimit rural, industrisë nxjerrëse dhe përpunuese si dhe energjetikës.
Ofrim i asistencës teknike fermerëve përmes krijimit të Qendrave të mbështetjes për procedurat apo kërkesat administrative (skemat mbështetëse).
Barazimi i TVSH-së për fermerët prej 6% në shitje me 6% në prodhim duke iu bashkuar vendeve të tjera të rajonit.
Ristrukturimi i Institutit të Resurseve Gjenetike të bimëve sipas modelit Finlandez.
Ulja e taksës së qarkullimit dhe e akcizës duke synuar reduktimin e çmimit të karburantit. Taksa e qarkullimit propozohet të reduktohet nga 27 lek në 7 lek/litër.
Investime për të krijuar mundësi të ruajtjes së mbiprodhimit të energjisë elektrike me anë të teknologjive si ato të transformimit të energjisë (thermal energy storage), përmirësim të teknologjisë aktuale, ose përmes krijimit të stacioneve të ruajtjes së energjisë nëpërmjet baterive. Kombinimi i këtyre teknologjive me përdorimin produktiv e transparent të tregjeve financiare për shitblerjen e energjisë ka si qëllim kryesor përmirësimin e bilancit tregtar.
Subvencione për fermerët të cilët prodhojnë produkte BIO me qëllim edhe eksportin e tyre.
Riorientimi i flukseve hyrëse te investimeve të huaja drejt sektorëve me potencial të lartë punësimi dhe eksporti.
Një Shqipëri mikpritëse: Turizmi drejt high-quality fair-price dhe jo low-quality high-price.
Aplikimi i një sistemi të mirëfilltë çertifikimi për cilësinë e strukturave dhe shërbimeve turistike i shoqëruar nga një organizëm kontrolli për ndjekjen e tyre si mjet për të rikthyer cilësinë e shërbimit në sektorin e turizmit.
Vendosja e plazheve publike në rreth 50% të vijës bregdetare në fokus të strategjisë për turizmin detar. Realizimi i një planimetrie konkrete të bregdetit për ndarjen e plazhit publik dhe atij privat me qëllim realizimin e objektivit.
Politika tatimore preferenciale për të stimuluar blerjen e produkteve të brendshme nga strukturat turistike si restorante, resorte dhe hotele, me qëllim përkrahje ndaj prodhuesve shqiptarë.
Një Shqipëri që ëndërron: Besimi tek sipërmarrja private dhe inovacioni.
0% taksë për 3 vite për sipërmarrësit e moshës 18-30 vjeç, të cilët hapin një biznes në Shqipëri me qëllim krijimin e një klime biznesi nxitëse për çdo të ri në vendin e lindjes.
Granti i vetëpunësimit me vlerën 60% të pagës për një periudhë 3 mujore për një ish-të punësuar në sektorë shtetërorë, i cili pas shkëputjes nga puna, ndërmerr një aktivitet privat.
Lehtësimi i aksesit në kapitalin fillestar për start up-et dhe aplikimi i taksës 0% për vitin e parë të nisjes së aktivitetit. Aplikimi i taksës së sheshtë mbi fitimin, e cila do të jetë e reduktuar për 3 vitet e para pas vitit të nisjes së aktivitetit, si dhe 0% taksë mbi kapitalin.
Rikthim i taksës së sheshtë 10%.
Taksë mbi të ardhurat individuale shumë e reduktuar për punonjësit e kompanive shqiptare ose të huaja, si dhe të instituteve kërkimore dhe akademisë, të cilët punojnë në sektorin e kërkimit shkencor (R&D).
Implementimi i regjimit fiskal IP-Box për të ardhurat nga prona intelektuale. Shqipëria mund t’i bashkohet 13 shteteve të BE-së me taksë të reduktuar deri në 0% për të ardhurat e gjeneruara nga regjistrimi, shitja dhe përdorimi i pronës intelektuale (IP).
Grantet për kërkim dhe zhvillim (R&D) në universitetet shtetërore, veçanërisht në fushat kryesore për zhvillimin ekonomik dhe teknologjik të vendit, si pjesë e rëndësishme e shpenzimeve qeveritare.
Një Shqipëri europiane duke ripërkufizuar bashkëpunimin me institucionet e Bashkimit Europian me qëllim progresin real dhe konkret në të gjitha fushat e shtetbërjes dhe ekonomisë së vendit (përafrimin e shtetit formal dhe shtetit real).
-Të forcojmë identitetin: “Modeli shqiptar”
Reforma e Parlamentit për t’i dhënë kompetenca efektive dhe jo fiktive opozitës si mjet i vetëm për të barazpeshuar ushtrimin e pushtetit: çdo grup parlamentar duhet të ketë ditë të veçanta ku të ketë mundësi të paraqesë projekjtligje për debat.
Institucionalizimi i “Formularit të personit të ekspozuar politikisht” sipas modeleve më të mira europiane në veçanti për sistemin bankar dhe lëvizjet ndërkombëtare monetare.
Kalimi në regjim presidencial me mandate të kufizuara të presidentit dhe me një gërshetim në kohë të mandateve të presidentit dhe Parlamentit.
Qeveri teknike 4 muaj përpara zgjedhjeve bazuar në modelin e Maqedonisë së veriut.
Lënia e menjëhershme e postit të kryeministrit dhe anëtarëve të kabinetit qeverisës që humb zgjedhjet për të shmangur manipulimin e provave të mundshme të aferave korruptive, abuzimeve me detyrën, shpërndarjen e licensave etj.
Riorganizimi administrativ i përqendruar në zhdukjen estrukturave administrative të tipit prefektura, qarqe, etj., të cilat edhe pse të importuara nga sistemi francez kanë rezultuar jo funksionale në Shqipëri. Kjo do të ishte në favor të rritjes së kompetencave dhe rolit të bashkive si autoritete politike më pranë qytetarëve.
Hartimi i një vepre penale që synon ndalimin e ekspozimit të parlamentarëve ndaj lobizmit prej nga brenda dhe jashtë vendit me qëllim garantimin e mbrojtjes së interesave të qytetarëve prej nisjes deri në përfundim të mandatit si i deleguar në Parlament.
Miratimi i një ligji për mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe ndëshkime me gjobë për shkelje të rregullave gjuhësore veçanërisht në shkresat zyrtare.
Thjeshtëzim i procedurave administrative si dhe rishikim i të gjitha lejeve dhe licencave të kërkuara për veprimtarinë e bizneseve, me qëllim identifikimin e atyre që janë të tepërta ose që pengojnë inovacionin.
Hartimi i një ligji ndalimi që parashikon ndëshkim nga dënimi me gjobë deri tek arresti me burg për përdorimin e teksteve apo simboleve komuniste, adhurimin e figurës së diktatorit dhe elitës komuniste, si dhe manifestimeve me simbolet komuniste.













