Malaj: Kushtetuesja të zbardhë vendimin për profesionet e lira. Po punojmë për skemë të re për pensione më të larta. Investimet e huaja, rritje me 15.2 %

Ministria e Financave do t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese të plotësojë vendimin në lidhje me profesionet e lira për të saktësuar se çfarë do të ndodhë me pagesat që individët kryen nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit e deri në shfuqizimin e tij nga kjo gjykatë.

Kjo u bë e ditur gjatë konferencës për shtyp të mbajtur nga ministri i Financave, Petrit Malaj.

“Gjykata Kushtetuese nuk shprehet se çdo të ndodhë me efektet që ka prodhuar ky ligj deri në momentin e vendimit të saj për ta shfuqizuar. Duke qenë se ky ligj ka prodhuar disa efekte financiare, po përgatisim një kërkesë për Gjykatën Kushtetuese, ku do t’i kërkojmë saktësime”, tha Malaj.

Deri atëherë, nënvizoi ai, Ministria e Financave nuk mund të ndërmarrë asnjë veprim. “Me marrjen e vendimit apo plotësimin e saktësimit do të ndjekim hapat në përputhje me të“, shtoi Malaj.

VENDIMI I KUSHTETUESES

Më 27 qershor, Gjykata Kushtetuese vendosi të mbajë të përjashtuar nga tatimi me 15 % bizneset e vogla ofrues të shërbimeve porfesionale, me xhiro vjetore deri 14 milionë lekë. Gjykata shfyqizoi nenin 69, shkronja dh, fjalia e 2 dhe e 3 e ligjit dhe nenin 4 të VKM 753/2023.

Sipas këtij vendimi, për të vetpunësuarit, individët tregtarë dhe entitetet ofrues të shërbimeve profesionale me të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë në vit, tatimi i fitimit do të jetë zero deri në fund të 2029, nga 15 % që u miratua në fillim të këtij viti.

DEKLARATAT E MINISTRIT MALAJ

"Po punojmë për skemë të re për pensione më të larta"

Malaj: Kushtetuesja të zbardhë vendimin për profesionet e lira.

Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se deri në fund të vitit parashikohet ulje e nivelit të borxhit me 0.57 % krahasuar me vitin 2023, duke çuar atë në nivelin 58.2 %.

Gjatë një konference për shtyp, Malaj foli për performancë pozitive të ekonomisë gjatë këtij 7-mujori, ndërsa lajmëroi ndërmarrjen e një reforme në skemën e pensioneve, e cila siç theksoi ai ka nevojë për një skemë vizibile që siguron pensione më të larta për njerëzit.

“Në fokus do të jetë përmirësimi i mbledhjes së të ardhurave. Sfidë personale do të jetë adresimi i çështjeve të pensioneve, një çështje që na përket të gjithëve, pa ngjyrim majtas apo djathtas. Po punojmë edhe me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për të gjithë skemën e pensioneve, e cila nuk është në ditët më të mira të saj. Na duhet një skemë vizibile që siguron pesione më të larta për njerëzit”, tha ai.

Ai foli dhe për sfidat tij si ministër Financash.

“Përmirësimi i stabilitetit makroekonomik dhe administrimi prudent i buxhetit të shtetit dhe borxhit publik. Në fokus është përmirësimi i mbledhjes së të ardhurave, dhe alokimi i investimeve publike në ato sectorë që kanë kontributin më të madh në ekonomi.

Në drejtim të mbledhjes së të ardhurave, faktor të rëndësishëm do të luajë dixhitalizimi, përfshirja e inteligjencës artificiale, projekt për të cilin po punohet me Microsoft. Shpenzimet buxhetore do të orientohen e kanalizohen atje ku ka nevoja sociale, pa humbur fokusin në investimet në sektorë prioritare”, deklaroi Malaj.

Malaj deklaroi sot se numri i bizneseve të reja të regjistruara, gjatë 7-mujorit të këtij viti u rrit me 4700, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Kemi mbi 4 700 biznese më shumë se në 7 mujorin e 2023”, tha ai. Malaj, po ashtu vuri në dukje se janë shtuar edhe pozicionet e reja të punës si dhe numri i kontribuesve.

“Kemi mbi 13 mijë pozicione të reja pune. Kemi shtuar numrin e kontribuesve me 8900 persona”, tha Malaj.

"Investimet e huaja shënuan rritje me 15.2 %"

Malaj: Kushtetuesja të zbardhë vendimin për profesionet e lira.

Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se investimet e huaja në vend shënuan rritje me 15.2 %, në tremujorin e parë të këtij vit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Indikator i rëndësishëm janë investimet e huaja direkte, të cilat në fund të 2023 shënojnë një stok prej 1.5 miliardë euro me rritje prej mbi 8% në raport me stokun që kemi pasur në 2022. Për tremujorin e parë të 2024 kemi rritje të investimeve të huaja direkte me rreth 47 milionë euro ose me 15.2%, krahasuar me 2023”, tha ai gjatë konferencës për shtyp të mbajtur sot.

Malaj vuri në dukje se gjithashtu rritje të të ardhurave ka në tatime e dogana.

“Kemi rritje të të ardhura në masën 11.4% ose mbi 22 miliardë lekë më shumë. Administrata tatimore ka kryer punë të mirë për mbledhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore. Kemi rritje të tatimeve”, tha ai.

Ai theksoi se investimet kapitale pritet të shkojnë në 340 milionë euro më shumë nga parashikimi.

“Në bazë të performancës pozitive të ekonomisë, kemi krijuar hapësira të reja fiskale që do të thotë më shumë investime nga ana e shtetit. Sa i përket investimeve kapitale për periudhën 2024-2025 parashikohet të shkojnë në masën 340 milionë euro më shumë, se sa ishin planifikaur në fillim të këtij viti”, u shpreh Malaj.

Ai informoi edhe lidhur me rishikimin e buxhetit në fund të muajit gusht.

“Ministria e Financave në fund të muajit gusht i propozoi Këshillit të Ministrave ndryshime të rëndësishme në buxhetin e vitit 2024. Këto ndryshime janë bërë për të pasur një ndikim më të lartë social. Ndërkohë edhe investimet në infrastrukturë, shëndetësi, energji, bujqësi e turizëm janë mbajtur në fokus”, nënvizoi ministri.

Duke folur për pagat, Malaj bëri të ditur se paga mesatare aktuale në vend është 710 euro, ndërsa në administratë është 900 euro. Sipas tij kontribuesi kryesor në rritjen e pagës është sektori publik me rritje 13%.

“Kemi rritje të pagës reale në masën 10. 8%. Kontribuesi kryesor në rritjen e pagës është sektori publik me rritje 13% dhe ndiqet nga sektori privat me 9.7%. Rritja e pagës në sektorin publik ushtron një presion pozitiv në sektorin privat, i cili do të duhet ta ndjekë që të jetë i konkurrueshëm në treg. Paga mesatare aktuale është 710 euro, ndërsa në administratë është 900 euro”, tha Malaj.