Rikonstruktohet gjimnazi “Shefqet Guzi”, Rama: Do të presë 430 nxënës dhe mësues në kushte bashkëkohore

Kryeministri Edi Rama ka ndarë me ndjekësit në rrjetet sociale pamje nga gjimnazi i rikonstruktuar “Shefqet Guzi” në Gramsh. Sipas tij, kjo shkollë do të presë 430 nxënës dhe mësues në kushte bashkëkohore

“Mirëmëngjes dhe me gjimnazin e rikonstruktuar “Shefqet Guzi” në Gramsh, një tjetër investim i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Bashkisë Gramsh, i cili do të presë 430 nxënës dhe mësues në kushte bashkëkohore më 9 shtator, kalofshi një ditë të mbarë”, tha ai.

Falë këtij investimi janë transformuar dhe modernizuar tërësisht ambientet e shkollës, duke përfshirë jo vetëm përmirësimin e mjediseve për mësimdhënie, por edhe duke krijuar hapësira të reja për aktivitete sportive.

Përveç shkollës “Shefqet Guzi” në Gramsh, në qarkun e Elbasanit për vitet 2024-2025 janë 5 projekte për rehabilitimin e shkollave të përqendruara në bashkitë Elbasan, Gramsh, Librazhd, Peqin dhe Prrenjas.

Nga investimet në rehabilitimin e këtyre shkollave do të përfitojnë 2500 nxënës. Po ashtu, në kuadër të programit për rritjen e aftësive digjitale të nxënësve, qarkut të Elbasanit do t’i shtohen 14 laboratorë SMART.