Gjykata lë të lirë Fredi Belerin, Guri: Vendimi si pikë kthese për stabilizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve

Gjykata e Fierit vendosi të hënën lirimin me kusht të Fredi Belerit dhe ky vendim mori jehonë në mediat greke të cilat në raportimet e tyre theksuan se tani Beleri do të jetë i lirë të kryejë detyrën si eurodeputet.

Për të kuptuar më shumë se si u komentua ky lajm ditën e djeshme në mediat greke, në një intervistë në studion e lajmeve në “Ora Neës” gazetari Etmond Guri theksoi se lirimi i Belerit u pa si një akt i drejtë dhe si një pikë kthese e marrëdhënieve mes Athinës Zyrtare dhe Tiranës.

“Lirimi i Fredi Belerit u transmetua gjerësisht nga mediat greke këtu, të cilat më shumë dukej se raportimin e e tyre lidhnin me një pikë kthese për stabilizimin e marrëdhënieve mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Nga ana tjetër, Beleri ishte figura e duhur që të ndalonte rënien e lirë të mbështetjes së qytetarëve për kryeministrin Mitsotaqis”, u shpreh ndër të tjera Guri.

Eurodeputeti grek, i cili qëndroi në burg për 16 muaj, kishte bërë kërkesën përkatëse që në korrikun e kaluar ashtu siç i takon sipas ligjit shqiptar pasi kishte kryer 2/3 e dënimit.

Pas këtij vendimi Fredi Beleri do të mund të kryejë pa ndërprerje detyrat e tij në Parlamentin Evropian.

Sipas ERT-së greke, edhe pse prokurori publik refuzoi kërkesën e Beleri, gjykata vendosi se ka arsye për lirimin e tij nga burgu vetëm me një kusht kufizues që ai të komunikojë me autoritetet policore disa herë në muaj pasi duhet të jetë në Bruksel.