Tragjeditë në kantiere/ Sindikatat kërkojnë rritje të sigurisë në punë. Nikollaj: Mungesa e kontrolleve e bën të rrezikshëm sektorin e ndërtimit
Mungesa e inspektimeve dhe e kontrolleve po ndikon drejtpërdrejt në sigurinë në punë. Kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë Kol Nikollaj bën thirrje për një përmirësim të menjëhershëm të kushteve të punës dhe për rritjen e nivelit të mbikëqyrjes për të siguruar një ambient pune më të sigurt për të gjithë.
Mungesa e kushteve e sigurisë teknike në punë vijon të marrë jetë njerëzish. Rasti i fundit është i një 57-vjeçari, i cili humbi jetën në një kantier ndërtimi.
Kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj, kërkon inspektime në terren dhe zbatimin e kushteve të punës.
Kol Nikollaj: “Strukturat ligjzbatuese të shtetit avash-avash po kthehen në struktura amorfe, në struktura jo efiçiente, struktura jo të përshtatshme për t’iu përgjigjur kohës me mundësitë e duhura për aksidente të tilla.
Ne kemi një sërë inspektoratesh dhe është folur vazhdimisht për reformimin e tyre, por fatkeqësisht asgjë nuk është bërë. Por, ulja e kompetencave të detyrave dhe politizimi i tyre tregon mosfunksionimin normal të tyre.
Dhe mosfunksionimi i tyre, natyrisht pason me aksidente dhe me punë informale, sepse aksidentet vijnë kryesisht edhe nga puna informale”.
Kol Nikollaj thotë se ligjet janë por nuk respektohen nga subjektet.
Kol Nikollaj: “Ne aktualisht kemi një ligj të arrirë, ai i shëndetit në punë, por që fatkeqësisht realizohet pas ose aspak si në çdo fushë tjetër në Shqipëri”.
Sektori i ndërtimit, konsiderohet me i rrezikshmi, ku vetëm gjatë vitit 2023 janë shënuar 32 aksidente në kantieret e ndërtimit, ku 8 prej tyre kanë humbur jetën.
Pas sektorit të ndërtimit, vijnë minierat dhe fasoneritë, si sektorët me numrin më të lartë të punonjësve të plagosur dhe jetëve të humbura në punë.


