EMRI/ Vrau 24-vjeçarin në një lokal në Tropojë, vetëdorëzohet 40-vjeçari

Vihet në pranga shtetasi Saimir Sadiku, i akuzuar për vrasjen e 24-vjeçarit Adrian Pepkolaj, më datë 11.07.2024, në një lokal në fshatin Breg-Lumë.

"Pas kontrolleve të shumta të kryera nga Policia e Tiranës dhe negociatave, ky shtetas është vetëdorëzuar në DVP Tiranë.

Një ditë pas ngjarjes, Policia arrestoi 5 shtetas që përkrahën shtetasin S. S., pas vrasjes me mjete prerëse të 24-vjeçarit dhe të plagosjes së dy shtetasve të tjerë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Kukës ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin në kërkim S. S., 40 vjeç, banues në Fierzë, caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Kukës, më datë 14.07.2024, për veprën penale “Vrasja me dashje”.

Shtetasi S. S. akuzohet se më datë 11.07.2024, rreth orës 17:00, në një lokal në fshatin Breg-Lumë, plagosi me mjete prerëse, shtetasit V. P., 32 vjeç, Sh. K., 45 vjeç, si dhe vëllanë e shtetasit V. P., shtetasin A. P., 24 vjeç, i cili si pasojë e plagëve, humbi jetën në spital.

Materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës", njofton policia.

NGJARJA

Saimir Sadiku qëlloi me thikë 24-vjecarin pas një sherri masiv në një lokal në fshatin Rrajë të Fierzës, pasditen e 11 korrikut.

Burime nga policia thanë se dy grupe të rinjsh kanë qenë duke konsumuar alkool deri në çastet para konfliktit, efekti i të cilit mendohet se ka nxehur gjakrat mes tyre.

Gjatë sherrit kanë përdorur shishe të pijeve alkolike dhe thika duke kthyer ndenjen në tragjedi. Gjithçka ka nisur pas një debati për muziken e larte ne lokal.

24- vjeçari, Adrian Pepkolaj ndërroi jetë në spital, ndërsa të plagosur kanë mbetur vëllai i tij Valentin Pepkolaj, 32-vjeç, dhe Shkëlzen Kukaj, 45 vjeç.

Në kërkim është shpallur Saimir Sadiku, banues në fshatin Dushaj të  Tropojës, ndërsa u prangosen shokët e tij, Andrin Qehaja, Xhevolin Macaj, Altin Shpendi, Anton Boçi, Jetmir Kuraj.