SAGA/ Në kërkim për vrasjen e Edmond Papës, merr fund arratia e Andrew Bodes! Në Memaliaj kapen dhe Andrea e Julian Kalemi, po përgatisnin hakmarrjen për vrasjen e të atit

Ishte shpallur në kërkim për vrasjen e Edmond Papës, arrestohet nga RENEA 48-vjeçari Andrea Bode dhe miqtë e tij që e strehonin në Memaliaj, Julian Kalemi dhe Andrea Kalemi.

Mësohet se Bode kishte shkuar për ngushëllim tek miqte e tij lidhur me ngjarjen e rëndë në 21 korrik 2024 ne Memaliaj, ku u vra në lokalin e tij Shyqyri Kalemi, dhe dy punonjësit Marsel Çela dhe Bledar Muka, ndërsa i plagosur ka mbetur Artur Kalemi që ndodhet në spital.

Vrasja e trefishtë në Memaliaj dyshohet se është kryer për hakmarrje, e cila e ka zanafillën në vitin 2022 kur kanë nisur edhe përplasjet mes dy grupeve dhe kanë marrë deri më tani 7 jetë njerëzish nga Athina në Tiranë.

SAGA/ Në kërkim për vrasjen e Edmond Papës, merr fund
Ne foto: Andrea Kalemi

NJOFTIMI I POLICISË GJIROKASTËR

Finalizohet nga Drejtoria e Policisë Gjirokastër dhe Reparti Special “RENEA”, operacioni policor i koduar “Plani”.

Lokalizohet në Memaliaj, kapet dhe vihet në pranga një 45-vjeçar nga Tirana, shtetas me rrezikshmëri shoqërore, i kërkuar për vrasje.

Gjatë operacionit u vu në pranga dhe një shtetas që strehonte në banesë, në Memaliaj, të kërkuarin.

Gjithashtu, gjatë operacionit u vu në pranga dhe një shtetas tjetër, të cilit bazuar në inteligjencën policore, iu krye kontroll në banesë, ku iu gjetën armë zjarri, armë gjahu, antiplumb, silenciatorë, municion luftarak, 40 145 euro, 438 550 lekë të rinj dhe 3470 dollarë.

Strukturat e Hetimit të Krimit të DVP Gjirokastër, bazuar në inteligjencën policore, për vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar për vrasje dhe të një shtetasi tjetër që dyshohej se posedonte arsenal armësh në banesë, kanë organizuar dhe finalizuar në bashkëpunim me Repartin Special “RENEA”, operacionin policor të koduar “Plani”.

Në kuadër të operacionit të zhvilluar në Memaliaj, në banesën e shtetasit J. K., Policia kapi dhe arrestoi shtetasin e shpallur në kërkim A. alias F. alias E. B., 45 vjeç, banues në Tiranë.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Në vitin 2022, ky shtetas, në bashkëpunim me 2 të tjerë, dyshohet se janë autorët e vrasjes së shtetasit E. P..

Në vijim të veprimeve proceduarale, Seksioni kundër Krimeve të Rënda arrestoi shtetasin J. K., i cili ka strehuar shtetasin në kërkim.

Operacioni ka vijuar në Memaliaj, duke kryer kontroll në banesën e shtetasit A. K.. Gjatë kontrollit, shërbimet e Poclicisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri automatike, 1 armë gjahu, 1 gjerdan fishekësh, fishekë luftarak, 2 silenciatorë, 1 jelek antiplumb, 40 145 euro, 438 550 lekë të rinj dhe 3470 dollarë.

Shtetasi A. K. u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Megaoperacioni “Sundimi i ligjit” vijon.

SAGA E HAKMARRJEVE

Më 11 qershor 2022 - Aleksandër Sadikaj, kushëri me familjen Kalemi vritet në një shpërthim me telekomandë. Sadikaj, i njohur me nofkën Sanço, po lëvizte me makinë në aksin e njohur si Sauk-TEG. Autorët dyshohet se kishin vënë një sasi të konsiderueshme prej 150 gramësh tritol të komanduar me telekomandë, në pjesën e përparme të makinës e cila është aktivizuar gjatë lëvizjes.

6 muaj më pas vritet në Tiranë biznesmeni sarandiot Edmond Papa. Vrasja, kjo e dyshuar si hakmarrje për vrasjen e Sadikajt. Për ekzekutimin e tij i arrestuar është shoku i Andrea Kalemit, Albano Velo, ndërsa në kërkim është shoku tjetër Andreë Bode. Në dosjen hetimore përmendet edhe emri i Kalemit.

Ndërkohë dy ditë pas vrasjes së Papajt në Tiranë, në 18 dhjetor 2022, dy shqiptarë të tjerë Kreshnik Çerçizaj, 41 vjeç dhe Armando Organja, 44 vjeç, janë ekzekutuar me armë zjarri në një lokal në Athinë.

Pas vrasjes së Edmond Papës, fillojnë atentatet ndaj familjes Kalemi.

Më 9 gusht 2023 - Andrea Kalemi i shpëton atentatit në ishullin Pax të Greqisë, teksa kishte shkuar me pushime me 3 fëmijët dhe gruan e tij.

Ndërsa më 14 dhjetor 2023 - Andrea Kalemi plagoset me thikë në burgun  “Koridhalos” në Greqi. Autori sipas mediave greke kishte qenë një 28-vjeçar egjiptian.

Më 8 janar 2024 - Prokuroria e Tiranës përfundon hetimet dhe dorëzon në gjykatë dosjen penale ndaj Andreë Bodes dhe Albano Velos.  Prokuroria thotë se Papa dyshohet se u vra në shenjë hakmarrje për vrasjen e Aleksandër Sadikajt.

4 ditë më pas, më 12 janar, tentohet të vritet vëllai i Andrea Kalemit. Ngjraja ndodhi në orët e mbërmjes pranë zones së Selitës, ku nga një makinë në lëvizje u qëllua me kallashnikov drejt Smartit me të cilin po udhëtonte Zamir Kalemi. Fatmirësisht asnjë prej plumbave nuk kapi organe jetike, ai u plagos vetëm në këmbë.

Pas afro 7 muaj qetësie, më 21 Korrik 2024, duket se plani për hakmarrje ka vijuar duke vendosur si objektiv babain dhe xhaxhain e Andrea Kalemit.

Breshëria e plumbave të derdhur në drejtim të tavolinës ku ishte ulur Shyqo Kalemi, i morën jetën këtij të fundit, la të plagosur vëllain e tij Arturin, si edhe la të vdekur edhe kamarierin e lokalit dhe një klient tjetër, të pafajshëm në gjithë këtë histori hakmarrjeje.