PAMJET/ Ministri Hoxha takime me ambasadorët e Japonisë dhe Holandës: Angazhim në përballje me kërcënimet e sigurisë
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka pritur sot ambasadoren e Japonisë, Kikuko Kato, dhe atë të Holandës, Reinout Vos, me të cilët bisedoi rreth bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë dhe mundësive për shtrirjen dhe zgjerimin e tyre.
Në takimet e zhvilluara me dy diplomatët, është vlerësuar niveli i bashkëpunimit dhe i marrëdhënieve miqësore e tradicionale mes vendeve tona.
Pas takimit me ambasadorin holandez, ministri Hoxha ndau vlerësimin mbi trendin pozitiv të marrëdhënieve politike dhe shprehu gatishmërinë për të vijuar dhe përforcuar shkëmbimet dypalëshe. Në takim u rikonfirmua angazhimi operacional proaktiv në përballje me kërcënimet e sigurisë.
Në lidhje me takimin me ambasadoren e Japonisë, ministri vuri në dukje se u diskutua mbi mbështetjen e dhënë për projekte të ndryshme, që janë nën juridiksionin e Ministrisë së Brendshme, si kontribute të rëndësishme për ngritjen e kapaciteteve për strukturat e varësisë.
Në takimet e zhvilluara, krerët e misioneve diplomatike i kanë uruar ministrit Hoxha suksese në detyrë.
"Pata kënaqësinë të pres në takime të ndara ambasadorët e Japonisë dhe të Holandës, me të cilët bisedova rreth bashkëpunimit dypalësh dhe marrëdhënieve shumë të mira e tradicionalisht miqësore ndërmjet vendeve tona.
Me Ambasadorin e Holandës, Reinout Vos ndamë vlerësimin mbi trendin pozitiv të marrëdhënieve politike dhe shprehëm gatishmërinë për të vijuar dhe përforcuar shkëmbimet dypalëshe. Në takim rikonfirmuam angazhimin operacional proaktiv në përballje me kërcënimet e sigurisë.
Me Ambasadoren e Japonisë, Kikuko Kato diskutuam mbi mbështetjen e dhënë për projekte të ndryshme, që janë nën juridiksionin e Ministrisë së Brendshme, si kontribute të rëndësishme për ngritjen e kapaciteteve për strukturat e varësisë", shprehet ministri Hoxha përmes rrjeteve sociale.



