Rrethrrotullimi i Bradasheshit, Policia: Ngadalësim lëvizjeje, jo bllokim
Fundjava, me lëvizjet e shtuara drejt bregdetit dhe drejt Korçës për shkak të aktiviteteve që zhvillohen atje, ka shtuar fluksin e makinave që lëvizin drejt këtyre destinacioneve turistike.
Policia e Shtetit njofton se Policia Rrugore e Elbasanit ka marrë masa të shtuara për të përballuar fluksin e madh të lëvizjes së automjeteve në drejtim të Korçës dhe zonave bregdetare të jugut.
Policia Rrugore ka rritur prezencën me patrulla të shtuara në akset rrugore Elbasan-Librazhd dhe Elbasan-Rrogozhinë, për të eliminuar vonesat në lëvizje si pasojë e parakalimeve të gabuara apo ngadalësimit të lëvizjes në hyrje të Elbasanit dhe te rrethrrotullimi në Bradashesh.
Deri në këto momente, nuk ka bllokim të qarkullimit të automjeteve, por ka ngadalësim të lëvizjes për shkak të fluksit të automjeteve që kalojnë në këtë rrethrrotullim.
Në ndihmë të shërbimeve të qarkullimit rrugor janë dhe forcat “Shqiponja” dhe Patrullat e Përgjithshme të cilat vijojnë intensivisht punën për menaxhimin e qarkullimit të automjeteve.
Policia Rrugore e Elbasanit u kërkon të gjithë drejtuesve të automjeteve që qarkullojnë në këto akse rrugore të tregojnë durim, të qëndrojnë në radhë dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara, duke u kthyer në burim për përfshirje në ngjarje rrugore apo për bllokim të lëvizjes në të dy kahet e rrugës.
