VIDEO+EMRAT/ U tradhtuan nga hija, ja kush janë dy hajdutët që vodhën varësen

Dy të rinj, të moshave 21 dhe 23 vjeç, Daniel Meçi dhe Luis Mija janë arrestuar nga policia në Tiranë, pasi i kanë vjedhur një gruaje varësen nga qafa dhe më pas u larguan me vrap.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e “Rrugës së Elbasanit”, ndërsa blutë bëjnë me dije se në cilësinë e provës materiale u sekuestruan varësja e vjedhur, një aparat celular dhe veshjet që këta shtetas kanë përdorur gjatë kryerjes së vjedhjes.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas marrjes së njoftimit se dy persona i kishin vjedhur varësen një shtetaseje, në Rrugën e Elbasanit, menjëherë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Necklace”, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.   

Si rezultat i punës dhe veprimeve të shpejta hetimore, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1, u identifikuan, kapën dhe ndaluan shtetasit D. M., 23 vjeç, dhe L. M., 21 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 15.08.2024, në Rrugën e Elbasanit, i kanë vjedhur varësen një shtetaseje dhe më pas janë larguar.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan varësja e vjedhur, një aparat celular dhe veshjet që këta shtetas kanë përdorur gjatë kryerjes së vjedhjes”, njofton policia.