Pushuesit vlerësojnë qendrat shëndetësore verore, Koçiu: Besimi juaj na nxit të përmirësojmë shërbimet

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot disa nga përshtypjet dhe vlerësimet e pushuesve  që marrin shërbim në qendrat shëndetësore verore përgjatë vijës bregdetare.

Ministrja falënderon pushuesit për besimin e tyre, i cili shprehet ministrja, “na nxit të përmirësojmë dhe zgjerojmë më tej shërbimet tona shëndetësore anembanë vendit aty ku pushohet këto ditë vere”.

“Ne jemi pushues këtu në Shkëmbin e Kavajës. Vajzës sot i janë shfaqur disa puçrra, dyshova se është një lloj herpes. Fatmirësisht është hapur qendra shëndetësore këtu afër. Erdhëm u vizituam. Më tha doktoresha që nuk është herpes, po është diçka që e ka prekur nga deti. Na shkruajti kremin dhe jam shumë e kënaqur që jemi kaq afër dhe nuk kemi pasur nevojë të marrim makinën për të shkuar më larg”, u shpreh një pushuese.

Ndërsa një tjetër pushues u shpreh shumë i kënaqur me vendin dhe qendrën shëndetësore që është hapur afër vendit ku pushohet.

“Jam pushues prej 13 vitesh këtu. Sa herë kam kaluar e kam parë gjithmonë hapur”, tha një tjetër pushues.

“Qendra është në shërbim e hapur 24 orë për 7 ditë”, tha një tjetër pushues.

Një tjetër pushuese e moshuar tregon eksperiencën e saj në qendrën shëndetësore.

“Kisha dhimbje krahu. Sa vajta e kapën ato direkt. Zjarri i natës thanë. Më dhanë ilaçe, madje i kam akoma,  dhe krem për t’u lyer dhe do shkoj mbasdite ta kontrolloj”, tha ajo.

Një tjetër pushuese u shpreh jashtëzakonisht e kënaqur.

“Unë pashë edhe të tjerë, shkonin prindër të rinj me fëmijë të vegjël me karroca dhe dilnin të buzëqeshur se ikte frika. Kjo është ajo që unë kam parë aty”, tha ajo.