“Dha kontribut të vyer për mbrojtjen e gjuhës dhe kulturës sonë”, Meta ndan lajmin e hidhur: Ndahet nga jeta studiuesi arbëresh Mario Brunetti
Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka ndarë lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të Mario Brunettit.
Meta shprehet se Brunetti, mik i vjetër i tij, një veteran antifashist, gazetar, shkrim dhe studiues i mirënjohur dha një kontribut të vyer për mbrojtjes e gjuhës dhe kulturës sonë.
Postimi i Metës:
Me trishtim të thellë mësova lajmin për ndarjen nga jeta të mikut tim të vjetër arbëresh, veteranit antifashist, gazetarit, shkrimtarit dhe studiuesit të mirënjohur, Mario Brunetti.
Si përfaqësues legjendar i Arbëreshëve në Senatin dhe Parlamentin Italian do t’i jemi përjetë mirënjohës për kontributin e vyer të dhënë për mbrojtjen e promovimin e gjuhës, kulturës dhe traditave Arbëreshe, por edhe të vlerave të pamohueshme të Luftës Antifashiste, për lartësimin e të cilave ai dha një ndihmesë të jashtëzakonshme si një nga studiuesit e veprës së mendimtarit të madh italo-arbëresh, Antonio Gramshi.
Krenar të kemi bashkëpunuar së bashku, kur ushtroja detyrën e lartë të Presidentit të Republikës, për ngritjen e Forumit “U’ jam Arbëresh!”, një nismë që kishte për qëllim të evidentonte, ruante dhe promovonte trashëgiminë kulturore Arbëreshe, pasuri e çmuar e trashëgimisë kulturore të dy vendeve tona.
Ngushëllimet më të ndjera familjes Brunetti dhe komunitetit shumë të dashur Arbëresh për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme.
Kujtimi i Tij do të mbetet i paharruar! Të prehet në paqen e merituar!
