Festivali “Nata e Tarantës” në Puglia me ritmin e këngëve arbëreshe e koreografinë tipike të valleve tona
“Ka gjëra që vetëm muzika mund t'i shpjegojë. Muzika është një mënyrë për të lexuar realitetin e përshkruar ndjenja, më mirë se fjalët”, shprehet Guvernatori i Puglias Michele Emiliano, ndërsa prezanton një nga eventet më të rëndësishme të Muzikës Popullore Tradicionale italiane, pjesë e të cilit është dhe kultura arbëreshe.
Festivali “Nata e Tarantës” kthehet dhe sivjet në një nga pejsazhet më të bukura të Salentos italiane, në Melpignano e pranë, shumë pranë 4 komunave arbëreshe të Puglias. Kazallveqi, Qefti, Cassano delle Murge (Casa Jani) e San Marzano di San Giuseppe.
Taranta e ka marrë emrin nga merimanga helmuese (tarantola) që epoka më parë ishte kthyer në makthin e banorëve të zonës, gjenerojë rituale e melodi popullore duke u shndërruar vit pas viti e shekull pas shekulli në një nga traditat më karakteristike të zonës.
Banorët, bujqit kërcenin për t'u shëruar.
Legjenda thotë se kura më e mirë kundër pickimit nga helmi i insekteve o kafshëve helmuese është vallëzimi, kërcimi nën një muzikë me ritëm të fortë që tund tokë e male.
Vallëzohet deri në ekstazë drejtuar nga instrumentet më antike tradicionale të muzikës popullore si tambura, daulle, gajre, fyej, violina, harpe.
Vallëzohet deri në forcën e fundit fizike duke vrarë cdo qelizë helmuese e shëruar trupin.
E nga ky ritual kurimi ka marrë emrin vallja më e lashtë e popullore e jugut të Italisë Pizzica (Pickimi).
Prej shekujsh kërcehet në çdo qytezë jugore italiane në këngë e koreografi që ndryshojnë nga një zonë në tjetrën nga një krahinë në tjetrin.
Kërcehet dhe në komunat arbëreshe të Puglias e Kalabrias me ritmin e këngëve arbëreshe e koreografinë tipike të valleve tona.
Picika (Pizzica) ky vallëzimi terapeutik shëronte gratë e banorët e zonave sidomos nga pickimi i merimangës helmuese (Tarantola) nga ku ka marrë dhe emrin një nga Festivalet më të rëndësishëm Internacional të muzikës popullore “Notte della Taranta” (Nata e Tarantës).
Është ky një takim unik i përvitshëm që mbahet në Melpignanos në provincën e Leçes e që shënon rekord artistësh nga e gjithë bota me numër pjesëmarrje të një publiku të jashtëzakonshëm.
"Është Festivali i trashëgimisë, ose më saktë i përgjegjësisë, thotë koordinatori artistik i edicionit të sivjetshëm Fabio Chiriati. Pa dyshim po jetojmë një moment historik me ndryshime sociale, kulturore, të kostumit të përditshëm dhe është koha të njohim më mirë veten, traditat tona e me përgjegjësinë e asaj çka do i përcjellim fëmijëve tanë."
Pakicat minoritare, si arbëreshët janë çdo vit pjesë e Festivalit "Notte della Taranta". Këngët në gjuhën arbëreshe, vallet, traditat shqiptare janë një vlerë e shtuar e magjisë së muzikës popullore të Natës Tarantine, që sivjet para natës finale të 24 gushtit ka udhëtuar në rreth 50 qyteza jugore italiane, nga Salento deri në esktremin jugor të Puglias e Kalabrias.
E ftuara speciale e natës finale është fituesja e Festivalit të fundit të Sanremos, Angelina Mango, e bija e këngëtarit të njohur italian tashmë jo në jetë Mango.
Konsiderohet artistja surprizë e 2024-s me 3 disqe të arta të shitura e 579 milionë klikime “streaming”.
Çdo vit një Maestro Artistik drejton këtë show unik simbol i muzikës popullore salentine e për edicionin e sivjetshëm gjithçka i është besuar artistit, producentit, menaxheri e DJ, italo-argjentinas Shablo, Pedro Miguel Lombroni Capalbo.
Muzika, vallëzimi, trashëgimia, tradita, përgjegjësia, janë tema qendrore e këtij Festivali që bashkon e sjell në skenën e tij dhe vlerësimin për gjuhët minoritare si arbërishtja e kontributin që ato kanë sjellë në kulturën popullore të jugut të Italisë.
Me një projekt special studentë e nxënës shkollash nga komunat arbëreshe kanë punuar gjatë vitin për një event special që do të shfaqet në netët e këtij Festivali.
"Përfaqëson një laborator autentik të ekselencave të territorit, ku takohen forma të ndryshme arti që formojnë kulturën salentine" thotë Presidenti i Fondacionit "Nata e Tarantës" Massimo Bray.
Festivali është vetëm pak ditë nga nata e tij finale e 24 gushtit me përgjegjësinë që i ka vënë vetes për t'i përcjellë brezave pasurinë e valleve, melodive, traditës e historisë së Puglias, pjesë e të cilës prej gati 6 shekujsh janë dhe arbëreshët, pra dhe vetë Shqipëria.



