EMRI+FOTO/ Ishte në kërkim prej 4 vitesh, arrestohet i forti i Pogradecit, qëlloi me armë ndaj 5 personave

Është arrestuar këtë të diel një i shumëkërkuar i policisë i cili prej katër vitesh ndodhej në arrati.

I njohur si një nga të fortët e Pogradecit, Spartak Çela rreth 39 vjeç është vënë në pranga në fshatin e tij në Velçan.

Ky person  në 2020 qëlloi me kallashnikov drejt disa personave në një lokal në Velçan të Mokërs.

Çela doli sërish në skenë më 26 prill të vitit 2024 kur kërcënoi punonjësit e taskforcës së ndihmës ekonomike po në Mokër dhe arriti të fshihej sërish.

“Pasditen e sotme pas disa informacioneve të marra në rrugë operative, policia kishte mësuar se ai ishte kthyer në banesën e tij në fshatin Velçan.

Efektivët e policisë kanë rrethuar banesën dhe kanë bërë të mundur arrestimin e 39 vjeçarit”,-thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas informacioneve të ardhura nga policia ai po transportohet drejt qelisë së paraburgimit në Drenovë.

Kujtojmë se për 4 vite me radhë që nga ngjarja e parë kur ai shtiu me armë drejt 5 personave në lokalin e fshatit, kishte mundur të fshihej shumë mirë ndaj policisë, në malësinë e Mokrës.

Njoftimi i policisë:

Pogradec/ Vijojnë kontrollet intensive në kuadër të megaoperacionit "Sundimi i Ligjit".

Kapet dhe ndalohet nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Korçë, një 39-vjeçar me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim kombëtar dhe i akuzuar për 4 vepra penale.

Komisariati i Policisë Pogradec, në bashkëpunim me strukturat e DVP Korçë, në zbatim të masave të hartuara në kuadër të megaoperacionit policor të koduar "Sundimi i Ligjit", bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative mbi vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “FOUR.”

Në kuadër të këtij operacioni u bë e mundur kapja e të kërkuarit me rrezikshmëri të lartë shoqërore, shtetasit S. Ç., 39 vjeç, banues në fshatin Buzaishtë, Pogradec.

Gjykata e Shkallës së Parë Korçë i ka caktuar dy herë masën e sigurisë në mungesë "Arrest në burg," për veprat penale "Vrasja me dashje e mbetur në tentativë," "Vjedhje me armë," "Prodhim, shitje dhe mbajtje pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve luftarake," dhe "Kundërshtim i punonjësit të policisë."

Në datën 20.08.2020, ky shtetas, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri shtetasin A. Sh.

Në datën 25.04.2024, shtetasi S. Ç., pasi është konfliktuar me shtetasin V. I., 54 vjeç, banues në Tiranë, nën kërcënimin e një arme zjarri pistoletë, ka tentuar t'i marrë atij dy aparate celularë dhe një orë dore.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.

EMRI+FOTO/ Ishte në kërkim prej 4 vitesh, arrestohet i forti i
Spartak Çela