Real Madrid mbyll turneun, Ancelotti me mendjen te Superkupa: Tani përgatitemi për Atalantën

Carlo Ancelotti lë i kënaqur turneun në Shtetet e Bashkuara, që Reali i Madridit i drejtuar prej tij e mbylli me fitoren 2-1 në Charlotte të Karolinës së Veriut kundër Chelsea-t të kolegut italian Enzo Maresca, falë golave të Lucas Vasquez dhe Brahim Diaz, duke hedhur sytë tanimë nga takimi i parë i rëndësishëm i sezonit të ri, Superkupa e Europës kundër Atalantës që do të luhet në 14 gusht.

“Kemi luajtur me një ritëm të mirë dhe ide të qarta, por tani mendojmë për Superkupën”, – tha tekniku nga Reggiolo duke shtuar, – “Në 9 gusht, do të nisim të gjithë se bashku të përgatisim ndeshjen me Atalantën, por puna deri tani ka qenë e mirë, me të rinjtë që kanë dhënë kontributin e tij për skuadrën. Për ata ka qenë një eksperiencë e bukur”.

Ancelotti që pret bashkimin e Mbappe me skuadrën, nuk hodhi kundër Chelsea-t të rinjtë Arda Guler dhe Endrick, duke i lënë pushim pas ndeshjes me Barcelonën, një tjetër test i zhvilluar në Shtetet e Bashkuara.

“Preferuam të evitojmë rreziqet pasi gjëja më e rëndësishme është të arrijmë në formë të mirë për ndeshjen e Superkupës.

Lojtarët e tjerë treguan një gjendje të mirë, janë gati për ta përgatitur si duhet ndeshjen me Atalantën.

Të shohim si do të kthehen lojtarët e tjerë, shpresoj të jenë në gjendje të mirë nëse kanë punuar mjaftueshëm në shtëpi.

Nëse jo do të qëndrojnë të gjithë në stol”, e mbylli tekniku duke qeshur deklaratën e tij në formë batute.