Vuante nga probleme të shëndetit mendor/ Plagosi me thikë qytetarin, arrestohet 45-vjeçari
Një plagosje me thikë ka ndodhur mesditën e sotme në Durrës. Mësohet se ngjarja ka ndodhur në afërsi të stadiumit të qytetit.
Bëhet me dije se policia ndodhet në vendngjarje për të bërë të mundur zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Burime nga policia bëjnë me dije se dy persona janë konfliktuar me njëri-tjetrin.
I plagosuri është dërguar në spitalin e Durrësit, ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Njoftimi i policisë
Durrës
Plagosi me mjet prerës (thikë), një 60-vjeçar, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kapet menjëherë nga shërbimet e Policisë dhe shoqërohet në komisariat, autori i dyshuar.
Në lagjen nr. 6, Durrës, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi R. Ll., rreth 45 vjeç (me probleme të shëndetit mendor) dyshohet se ka plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasin V. P., rreth 60 vjeç, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Shërbimet e Policisë, pas marrjes së njoftimit, brenda pak minutash kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e shtetasit R. Ll., në Komisariat, për veprime të mëtejshme.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

