Celibashi për problemet me ID e skaduara: U privohet votimi 6 mijë qytetarëve
Kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, është shprehur se ndalimi i qytetarëve që u kanë skaduar kartat e identitetit për të votuar në zgjedhjet në Himarë, është çështje që nuk lidhet me KQZ.
Ai tha se është e vërtetë që janë rreth 6 mijë qytetarë që privohen nga e drejta e votës për shkak të skadimit të kartave të ID, por shtoi se nuk ishte në gjendje të thoshte se përse Këshilli i Ministrave nuk mori një vendim më parë për zgjatjen e vlefshmërisë së ID.
Sipas Celibashit, kjo çështje i përket edhe interesit qytetar për të pasur një ID funksionale.
“Duke përshëndetur, doja të bëja me dije se nga informacionet e deritanishme, mund të thuhet se procesi në Bashkinë e Himarës është duke shkuar normalisht në përgjithësi. Çështja që ka qenë objekt diskutimi është ajo e vlefshmërisë së dokumentave të identifikimit. Kjo është një çështje që nuk ka të bëjë me përgjegjësitë e KQZ, por është një çështje që mbetet jashtë procesit zgjedhor në themelin e vet.
Është e vërtetë që janë rreth 6 mijë votues që dokumenti i identifikimit ose u ka skaduar, ose u skadon ditën e sotme. E njëjta shifër ka qenë edhe në zgjedhjet e kaluara, për personat që nuk kanë pasur dokument identifikimi të vlefshme. Përse për këto zgjedhje nuk u mor një vendim nga ana e Këshillit të Ministrave me anë të një akti normativ për të zgjatur vlefshmërinë e kartave të identitetit, unë nuk mundet ta them.
Ne e kemi bërë këtë komunikim me Këshillin e Ministrave sa herë që zyrtarisht ka patur një kërkesë nga partitë politike për këtë çështje, nuk e kemi patur një kërkesë zyrtare nga partitë politike. E kemi pasur në mënyrë informale ditët e fundit. Ne nuk kemi pasur komunikim sot me përfaqësues të qeverisë për këtë çështje, sepse nuk mund të zgjidhej sot. Por në fund të fundit është një çështje që lidhet me interesin e vetë votuesve”, tha Celibashi.

