Vrasja e liderit të Hamasit, New York Times: Lënda shpërthyese u fut në rezidencën ku do të qëndronte Haniyeh 2 muaj më parë

Ismail Haniyeh u vra nga një mjet shpërthyes që u fut fshehurazi në godinën ku ai po qëndronte brenda në Teheran, sipas  New York Times .

Gazeta, duke cituar disa zyrtarë të Lindjes së Mesme, raporton se bomba ishte fshehur “afërsisht dy muaj më parë” në godine, e cila drejtohej dhe mbrohej nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike në Teheranin verior.

Bomba më pas u shpërthye nga distanca pasi u bë e qartë se shefi i Hamasit ishte brenda, sipas burimeve.

Ende nuk dihet se si është vendosur bomba në ambientet e brendshme.

Më herët sot iranianët dolën për të vajtuar liderin e Hamasit në funeralin e tij.

Trupi i tij do të dërgohet më pas në Katar, ku Haniyeh ishte zakonisht i vendosur, për varrim nesër.

Irani dhe Hamasi kanë akuzuar Izraelin për kryerjen e sulmit që vrau Haniyeh disa orë pasi ai mori pjesë në inaugurimin e presidentit të ri të Iranit në Teheran të mërkurën.

Por zyrtarët izraelitë nuk e kanë marrë përgjegjësinë për sulmin.