Ministri i Jashtëm izraelit: Hezbollahu mund të parandalojë luftën duke u tërhequr
Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz, tha se “mënyra e vetme për të parandaluar një luftë të madhe rajonale është përmes zbatimit të menjëhershëm të një rezolute të OKB-së që bën thirrje për tërheqjen e milicisë libaneze Hezbollah nga zona kufitare me Izraelin”.
Në një letër drejtuar dhjetëra homologëve në mbarë botën, Katz shkroi se ”vrasja e komandantit të lartë të Hezbollahut, Fuad Shukr, duhet parë si një paralajmërim”.
“Izraeli dërgoi një mesazh të qartë dje: kushdo që na dëmton do të dëmtohet me forcë të madhe”, theksoi ai.
Ministri i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mbështesë kërkesën e Izraelit që Hezbollahu të tërhiqet në zonën në veri të lumit Litani.
Kjo zonë ndodhet afërsisht 30 kilometra nga kufiri midis Izraelit dhe Libanit.
“Dhjetëra mijëra banorë izraelitë që u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre në Izraelin verior duhet të kthehen në shtëpi të sigurt”, shtoi ai.

