Përshtatën lokalin për prostitucion dhe shitjen e drogave të forta, 6 të arestuar në Lezhë, 1 në kërkim
Gjashtë persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fazani”, në Lezhë.
Policia zbuloi një lokal, që ishte përshtatur për ushtrimin e prostitucionit dhe për shitjen e drogave të forta.
Në pranga përfunduan pronari i lokalit, 1 shtetase që ushtronte prostitucionin, 1 shtetas që shiste dozat e lëndëve narkotike dhe 3 shtetas që nuk kallëzuan këtë krim.
Në kërkim u shpall një person, i cili ishte bashkëpunëtor për shitjen e lëndëve narkotike.
Policia sekuestroi doza të lëndëve narkotike kokainë dhe heroinë, që u gjetën në lokal, 8000 euro, 9 aparate telefoni, dhe një automjet.
Njoftimi:
DVP Lezhë/Finalizohet pas disa javësh hetime me metoda proaktive, nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale DPPSH, në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, operacioni i koduar "Fazani".
Zbulohet në Lezhë, një ambient (lokal) i përshtatur për ushtrimin e prostitucionit dhe për shitjen e drogave të forta.
Vihen në pranga 6 shtetas (pronari i lokalit, 1 shtetase që ushtronte prostitucionin, 1 shtetas që shiste dozat e lëndëve narkotike dhe 3 shtetas që nuk kallëzuan këtë krim).
Shpallet në kërkim 1 shtetas, bashkëpunëtor për shitjen e lëndëve narkotike.
Sekuestrohen doza të lëndëve narkotike kokainë dhe heroinë, që u gjetën në lokal, 8000 euro, 9 aparate telefoni, dhe një automjet.
Si rezultat i hetimeve të kryera për disa javë, me metoda proaktive, nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policise Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, DVP Lezhë finalizoi operacionin policor të koduar “Fazani”. Në kuadër të këtij operacioni:
-u arrestua në flagrancë shtetasi K.(B.) L., 46 vjeç, banues në Malbardhe, Kurbin, për veprat penale “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
-u arrestua në flagrancë shtetasja B. L., 42 vjeçe, banuese në Bulqizë, për veprën penale "Prostitucioni";
-u ndalua shtetasi A. R., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim;
-u ndaluan shtetaset A. V., 37 vjeçe, banuese në Lezhë, V. H., 30 vjeçe, banuese në Prishtinë dhe K. O., 20 vjeçe, banuese ne Laç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit".
U shpall në kërkim dhe vijon puna për kapjen e shtetasit K. K., 23 vjeç, banues në Kurbin, për veprën penale “Prodhimi dhe shtija e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Nga veprimet hetimore dhe veprimet operacionale të kryera gjatë operacionit është zbuluar se shtetasi K.(B.) L. e kishte përshtatur lokalin e tij, për ushtrimin e prostitucionit dhe për shitjen e lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit u gjetën dhjetëra doza të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe heroinë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me shumën 8000 euro dhe një automjet.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtyre veprimtarive kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
