Dosja ''5D''/ Apeli i Posaçëm lë në burg ish-drejtorët e bashkisë së Tiranës, Redi Mollën, Mariglen Qaton dhe Taulant Tushen

Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi masën e sekuestros së pasurive të drejtorëve bashkiak në kuadër të dosjes “5D”.

Po ashtu është lënë në fuqi vijimi i masave të sigurisë arrest në burg për drejtorët Redi Mollën, Mariglen Qaton dhe Taulant Tushën.

Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi sekuestron e një trualli 506.25 m² dhe ndërtesë me sipërfaqe 164 m² dhe një tjetër truall me sipërfaqe 51.3 m², në emër të familjarëve të Redi Mollës, Selim Molla dhe Ollga Molla.

Sa i përket pasurive të drejtorit tjetër, Mariglen Qato, është lënë në fuqi sekuestro e një apartamenti me sipërfaqe të përgjithshme 122.7 m², dhe 2 parkime nga 42 m², dhe për një tjetër apartament me sipërfaqe 86.4 m², të dy në emër të Sanie Qato.

Po ashtu në sekuestro SPAK ka vënë më 9 korrik edhe kompaninë ‘5D Konstruksion’ si dhe kompaninë ‘Restur’ dhe asetet të saj.

Kompania “5D Konstruksion” sh.p.k, figuron me administrator dhe pronar 100% Nestor Muhamellarin, por që sipas SPAK zotërohet nga ish drejtorët Molla e Qato.