Komisioni me 5 anëtarë brenda SPAK-ut, përjashton prokurorin e Tiranës për t'u bërë pjesë e prokurorisë së Posaçme
Një komision me 5 anëtarë brenda prokurorisë së posacme SPAK, ka përjashtuar prokurorin e Tiranës Ndini Tavani, për tu bërë pjesë e SPAK.
Tavani nuk u kualifikua gjatë fazës së verifikimit nga komisioni, edhe pse ishte renditur me pikë të plota nga votimi në KLP.
Në vend të Ndini Tavanit, komisioni brenda SPAK votoi dhe kualifikoi prokurorin tjetër, Bledar Maksuti.
Pritet që ditën e nesërme Këshilli i Lartë i Prokurorisë të emërojë dy prokurorët e rinj në SPAK që janë Anita Jella drejtuese e prokurorisë së Durrësit dhe Bledar Maksuti, prokuror i Tiranës.
Vendimi për emërimin e tyre vjen 8 muaj nga votimi me pikëzim i kandidaturave në KLP.
Komisioni i ngritur posaçërisht në SPAK me një gjyqtare, një prokuror, anëtarë të BKH-së dhe 1 përfaqësues të huaj, mbajti për 8 muaj çështjen për të dalë sot me një vendimarje konkrete.
Ndryshe nga si veproi me shpejtësi për kandidaturën e prokurorit Olsi Dado, të cilin e emëroi në organikën e SPAK brenda një afati dy javor, nuk ka ndodhur kështu për tre kandidaturat e tjera Bledar Maksuti, Ndini Tavani dhe Anita Jella.
