Berisha ankimon masat shtrënguese në Kushtetuese, Argita Malltezi: Hetimi pasuror ndaj tij ka nisur 4 vite më parë

Sali Berisha ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese masën e sigurisë të dhënë me 20 tetor.

Lajmin e dha e bija e Sali Berishës Argita malltezi gjatë një konference për shtyp me grupin e avokatëve.

Sipas Malltezit, Berisha është një i burgosur politik, ndërsa thekson se SPAK ngre pretendimin se ish-kryeministri po mbahet në arrest për shkak të rrezikut të largimit nga vendi, pasi ka mundësi financiare.

“Baza për të cilën kërkohet vijimi i masës së arrestit është ekzistenca e rrezikut për ikjen.

Në parlament SPAK deklaroi në fakt se masa e arrestit ndaj Berishës po vendoset sepse nuk ka respektuar masat e para.

Më pas me urdhër politik, ndryshoi vallja dhe SPAK ngre këtë pretendim.

Gjykata është e detyruar të thotë si provohet rreziku i ikjes. Asnjë provë nuk ka. SPAK thotë se ekziston rreziku i ikjes sepse kanë mundësi financiare për të ikur.

Ky është argumenti që jep SPAK.

Janë dy persona që vuajnë dënimin në mënyrë individuale, Jamarbër Malltezi është në arrest shtëpie që në 20 tetor, Sali Berisha është në arrest që në 30 dhjetor.

Për të dy është i njëjti argument, kanë mundësi financiare për të ikur”-tha Argita Malltezi.

Sipas saj, hetimi pasuror ndaj babait të saj ka nisur që para 4 vitesh.

“Nuk është e vërtetë se Berisha po mbahet nën hetim se paska filluar tani hetimi pasuror ndaj Berishës, hetimi pasuror ka 4 vjet që ka filluar”, tha Argita Malltezi.