Parlamenti voton në parim me 105 vota "pro" Kodin e ri Zgjedhor, i hapet rruga votës së diasporës

Parlamenti ka votuar n parim pro ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, duke i hapur kështu rrugën votës së diasporës.

Votimi erdhi pas debateve të shumta, ku disa deputetë, ndër ta Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj, akuzuan Partinë Demokratike se bëri pazar me Edi Ramën

Kodi i ri Zgjedhor mori votat e nevojshme pasi Partia Socialite dhe Demokratike arritën marrëveshjen për votën e diasporës dhe formulën e listës së kandidatëve për deputetë, 1/3 e tyre janë automatikisht fitues ndërsa pjesa tjetër do të dalë nga vota parapëlqyese.

Ndërkohë, një pjesë e opozitës pretendon se PD me këtë marrëveshje po çertifikon ndryshimet kushtetuese që PS bëri në 2020 ku ndaloi koalicionet parazgjedhore.

Përveç formulës së re për mënyrën sesi do të konfigurohet parlamenti i 2025-ës, ndryshimet në kodin zgjedhor përfshijnë edhe votën e diasporës, për të cilën politika ishte e gjitha dakord.