Raporti vjetor i DAP, Pirdeni: Rritje të pagave nga 16-46% për administratën publike në 2023

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni theksoi sot se “viti 2023 u shenjua thelbësisht nga finalizimi i fazës së parë të reformës së rritjes së pagave, e përmbyllur tashmë me sukses në fazën e saj të dytë në qershor korrik të këtij viti me miratimin e vendimeve përkatëse të Këshillit të Ministrave”.

Gjatë raportimit në Kuvend për raportin vjetor të Departamentit të Administratës Publike për vitin 2023, Pirdeni tha se “si dëshmia më e qartë e prioritizimit të pakthyeshëm administratës Publike në këtë vend kjo reformë u shoqërua në fazën e parë me një numër të konsiderueshëm ndryshimesh ligjore”.

Pirdeni tha se rritja e pagave ka variuar nga 16-46% duke përfshirë pagat e të gjithë institucioneve duke përfshirë pagat e punonjësve të administratës publike, u realizua gjithashtu reforma e elementëve të pagës bruto mujore për nëpunësit civilë dhe nëpunësit e tjerë me të njëjtën strukturë page.

“U rritën pagat për titujt, gradat, pedagogët në arsimin e lartë, për shërbimin diplomatik në masën 20%, u rritën gjithashtu pagat e punonjësve në shërbimin shëndetësor në masën 15 mijë lekë të reja për mjekët e specialiteteve dhe 7% për pjesën tjetër të punonjësve. Gjithashtu janë rritur pagat në sektorin e Forcave të Armatosura, Policinë e Shtetit, Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimin, Gardën e Republikës, arsimin parauniveristar, etj.”, theksoi Pirdeni.

Më tej Pirdeni tha se “viti 2023 shenjoi disa zhvillime për zbatimin e reformës të Administratës Publike në Shqipqri, çelja e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE në korrik të 2022 solli menjëherë përfshirjen e të gjithë aparatit adiministrativ  në shqyrtimin analitik të legjislacionit të quajtur ndryshe edhe procesi screening, testi më intensiv i nivelit të përgatitjes së administratës publike shqiptare”.

“Suksesi i procesit screening vërtetoi përtej çdo perceptimi një realitet të pamohueshëm të nivelit të pjekurisë së administratës publike shqiptare për t’u përballur me shumë dinjitet me sfidat e anëtarësimit”, tha Pirdeni.

Përgjatë këtij procesi, vijoi Pirdeni, administrate publike tregoi se mund të përballojë në kohë dhe me cilësi një proces tejet angazhues duke reflektuar edhe tek partnerët tanë të Komisionit Europian shumë profesionalizëm përgjegjësi, përkushtim dhe pasion për rrugën europiane të Shqipërisë.

Pirdeni tha se “hartuam udhërrëfyesin për reformën në administratën publike 2023-2030. Aktualisht jemi duke monitoruar zbatimin e detajuar të udhërrëfyesit në bashkëpunim ashku me institucionet përgjegjëse”.

Ministrja Pirdeni bëri të ditur se “në 2023 Departamenti i Administratës Publike ka udhëhequr një tjetër proces me rëndësi primare, hartimin e strategjisë së re ndërsektoriale për reformën në administratën shtetërore 2023-2030”.