Zbulohen 22 ambiente të përshtatura për kultivim droge në Krujë, sekuestrohen 148 bimë kanabisi
Zbulohen 22 ambiente të përshtatura për kultivim të lëndëve narkotike në fshatin Mafsheq në njësinë administrative Cudhi në Krujë.
Gjatë kontrollit fizik nga policia u gjetën dhe asgjësuan 148 bimë kanabisi.
Ndërkohë policia ka nisur punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.
Njoftimi:
Komisariati i Policisë Krujë, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të punës për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike dhe në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Territor i pastër”, ka vijuar kontrollet në terren.
Gjatë kontrolleve u zbuluan 22 ambiente të përshtatura për kultivim, në fshatin Mafsheq, Njësia Administrative Cudhi, në të cilat u gjetën 148 bimë të dyshuara narkotike kanabis.
Një pjesë e bimëve u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua me anë të djegies. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal.
