Hetimi për TIMS, mazhoranca rrëzon raportin e paraqitur nga Salianji dhe miraton atë të PS-së
Komisioni hetimor i Kuvendit për Trajtimin e të Dhënave të Sistemit TIMS pas shumë debatesh ka miratuar raportin e Partisë Socialiste, i cili u lexua në komision nga deputeti Toni Gogu.
Në mbledhjen e fundit të komisionit, kryetari Ervin Salianji u shpreh se raporti i opozitës, do t’i bashkëngjitet raportit të propozuar nga Toni Gogu, si mendim pakice.
“Miratohet si raport përfundimtar raporti i lexuar nga Gogu. Raporti jonë do t’i bashkëngjitet në seancë plenare si mendim pakice. Shpresoj shumë që do të ketë kolegë të tjerë aty që janë në anën e ligjit. Ky komision bëri gjetje përtej parashikimeve që kishim në fillim”, tha Salianji.
Deputeti Toni Gogu prezantoi raportin e Komisionit Hetimor të Kuvendit për Trajtimin e të Dhënave të Sistemit TIMS.
Në dokumentin voluminoz shpjegohet në mënyrë analitike e gjithë metodologjia e ndjekur nga ekspertët sipas Planit Hetimor të miratuar paraprakisht. Po kështu vlerësohet nevoja për marrjen e masave administrative dhe ndryshimeve në legjislacionin përkatës.
Nga hetimi parlamentar, komisioni arrin në konkluzionin e domosdoshmërisë për një rishikim të kuadrit ligjor.
Konkretisht në raport thuhet se nevojitet harmonizimi i ligjit Nr. 8792 datë 10.05.2001 “Për krijimin e Qendrës së Përpunimit të të Dhënave”; ligjit Nr. 71/2016 “Për kontrollin kufitar” dhe ligjit Nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, i ndryshuar.
“Pas hetimit të plotë edhe të kryqëzuar të të gjitha provave të administruara, rezultuan qartazi problematikat në zbatimin e akteve ligjore edhe nënligjore. Nevojitet të kryhet rishikimi tërësor i veprimtarisë operative të të gjitha strukturave të policisë me sistemin TIMS në kuadër të konstatimeve të këtij raporti, të cilat duhet të adresohen sa me parë në formën e legjislacionit, i cili do t’i nënshtrohet shqyrtimit në parlament”, thuhet mes të tjerash në konkluzionet e raportit të këtij Komisioni Hetimor.
Në vijim të konkluzioneve të këtij hetimi, raporti thekson se “aktet nënligjore në fuqi për sistemin TIMS duhen rishikuar tërësisht për mbrojtjen e të dhënave për sistemin TIMS, ku të përfshihen në të gjitha nivelet kontrollet, si dhe të miratohen rregulla ku rregullohen kompetencat dhe llogaridhënie në çdo nivel”.
Komisioni Hetimor konfirmon problematikën me sistemin TIMS në disa drejtime, të cilat, jo të gjitha lidheshin me procedurën e ndjekur në kontrollet kufitare.
Sipas raportit, këto problematika kërkojnë disa masa dhe konkretisht: Ndryshimin e ligjit 71/2016 “Për kontrollin kufitar”; nxjerrjen e akteve nënligjore për menaxhimin dhe funksionimin e sistemit TIMS; përzgjedhjen, rekrutimin, dhe kualifikimin e stafit që monitoron, mirëmban, edhe përditëson sistemin TIMS dhe certifikimit e akreditimin AKSIK të programeve kompjuterike që mirëmbajnë edhe përditësojnë sistemin TIMS.
Ndërsa në raportin e paraqitur nga kreu i Komisionit Hetimor për sistemin TIMS, Ervin Salianji, një nga detajet që evidentohet është ai se si të dhënat e sistemit TIMS, janë përdorur nga grupet kriminale për të eliminuar kundërshtarët.
Në raport theksohet se punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët kanë për detyrë të ruajnë dhe administrojnë të dhënat e sistemit TIMS, e kanë përdorur të drejtën e aksesit për t’ua vënë në dispozicion të dhënat e këtij sistemi elementëve të krimit të organizuar, të cilët kanë interes të veçantë për t’u njohur me hyrje-daljet e shtetasve nga territori i Shqipërisë, urdhrat e arrestit, ndalimit, kërkimit, masat ndaluese nga shtetet e huaja, vendimet gjyqësore penale nga autoritetet shqiptare apo të huaja, automjetet me të cilat lëvizin shtetas të caktuar etj.
Në raport evidentohet se për marrjen e këtij informacioni, këta shtetas janë të gatshëm të ofrojnë shuma të konsiderueshme monetare, në mënyrë që të mësojnë në kohë reale informacione që përmban sistemi TIMS për ata vetë apo kundërshtarët e tyre.
“Të dhënat e sistemit TIMS iu kanë shërbyer grupeve kriminale për të bërë eliminimin e kundërshtarëve të tyre, për të kufizuar lëvizjet jashtë vendit apo edhe për t’u arratisur në rastet kur ndaj tyre janë lëshuar urdhër arreste kombëtare apo ndërkombëtare”, thuhet në raportin që paraqiti Salianji.
Komisioni hetimor për trajtimin e të dhënave të sistemit TIMS zhvilloi më 2 prill të këtij viti mbledhjen e parë konstituuese. Objekti i punës së komisionit hetimor ishte shqyrtimi i çështjeve që lidhen me kontrollin e veprimtarisë së institucioneve të ngarkuara me mbrojtjen e sistemit TIMS dhe vlerësimi i nevojës për marrjen e masave administrative apo ndërhyrje ligjore në legjislacionin përkatës.
