Komisioni i Sigurisë miraton marrëveshjet me Gjeorgjinë e Moldavinë në fushën e sigurisë e policimit

Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi të martën dy marrëveshje bashkëpunimi. Së pari u miratua marrëveshja mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Moldavisë në fushën e bashkëpunimit policor.

Marrëveshja u miratua në parim dhe nen për nen dhe pritet që të enjten te jetë në rendin e ditës në Kuvend.

Kjo marrëveshje ka në fokus luftën e përbashkët mes dy vendeve ndaj drogave sintetike.

Marrëveshja me Republikën e Moldavisë, synon rritjen e efikasitetit në luftën kundër krimit, shoqëruar dhe me një forcim të bashkëpunimit në kuadër të zhvillimit të operacioneve të përbashkëta policore duke patur si synim, së pari veprat penale që lidhen me krimin ndërkufitar, veprat penale kundër jetës, shëndetit, integritetit fizik, veprat penale në lidhje me prodhimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.

Dhe në këtë kontekst, do të shtoja dhe nevojën që ka forcimi i bashkëpunimit në një betejë të re që kanë agjencitë ligjzbatuese që lidhen me drogërat sintetike.

Bashkëpunimi me Moldavinë ka një rëndësi të veçantë sa i takon parandalimit të trafikimit të këtyre lloj drogërave drejt vendit tonë.

Gjithashtu është lufta kundër trafikimit të qënieve njerëzore dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve në mënyrë të veçantë.

Padyshim, pastrimi i parave, vjedhja, si dhe trafikimi i paligjshëm i armëve të zjarrit, municioneve luftarake, substancave radioaktive dhe pa harruar këtu dhe lëndë bërthamore apo substanca të tjera të rrezikshme.

Marrëveshja është firmosur në muajin nëntor nga Ministri i Brendshëm, Taulant Balla dhe nuk ka kosto shtesë për buxhetin e shtetit. Në kuadër të marrëveshjes, Policia e Shqipërisë dhe ajo e Republikës së Moldavisë do të shkëmbejnë informacione me njëra-tjetrën për të forcuar luftën e përbashkët kundër krimit dhe me një fokus të veçantë me krimin e organizuar.

Pas kësaj, Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi dhe marrëveshjen mes qeverisë së Shqipërisë dhe Gjeorgjisë, e cila ka në fokus shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar.

Edhe kjo marrëveshje mori dritën jeshile si në parim ashtu edhe nen për nen e cila pritet të votohet në seancën plenare të së enjtes në Kuvend.

Marrëveshja, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Gjeorgjisë, për shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar, ka për qëllim përcaktimin e rregullave të përgjithshme të sigurisë që do të zbatohen për çdo shkëmbim informacioni të klasifikuar, ndërmjet palës shqiptare dhe asaj gjeorgjiane ose ndërmjet institucioneve të tyre publike ose private, të cilat i nënshtrohen ligjeve dhe rregullave të tyre kombëtare.

Gjithashtu, ajo ka për objekt të mbrojë dhe të sigurojë palët, që informacioni i klasifikuar, i shkëmbyer, në kuadër të bashkëpunimeve në fusha të ndryshme të mbrohet, në përputhje me standardet e sigurisë, të përcaktuara në këtë marrëveshje.